TIRANË- Hoxha i Xhamisë së Rrugës së Kavajës, Ahmed Kalaja, i është përgjigjur publicistit Ben Blushi, për polemikat që shkaktoi së fundi libri i tij “Jam mysliman”. Kalaja u shpreh se herëpashere, Ben Blushi godet komunitetin myslimane në Shqipëri, me qëllimin e vetëm për të fituar vëmendje, dhe rrjedhimisht për të shitur më shumë kopje të librave të tij. Sipas hoxhës, Ben Blushi ngatërron konceptet, dhe se në fenë islame besimtarët nuk quhen islamik por mysliman. Kalaja vijon më tej duke komentuar një pasazh në librin e Blushit, ku thuhej se atë që i ka bërë islami Rrugës së Kavajës, nuk ia ka bërë as komunizmi. Për Hoxhën një gjë e tillë është e papranueshme, dhe se myslimanët jetojnë në harmoni të plotë me komunitetet e tjera fetare, që ndodhen në të njëjtën rrugë.
Pjesë nga ligjërata e Kalasë gjatë faljes së të premtes:
Kjo fe e bukur e ka emrin islam, dhe kushdo që është anëtar quhet mysliman, dhe nuk ekziston në terminologjinë islame termi islamik, mund të jetë i shpikur nga njerëzit. Dhe këtu do të ndalem pak se Beni nuk është hera e parë që godet, mundohet të bëjë ndonjë gol nga këndi, dhe e ka kuptuar mirë, e ka kapur thelbin që duke goditur islamin bën pare shumë, dhe do të ketë disa që do të merren me ty, dhe pastaj kjo do të sjellë fitim. Shumë njerëz më shkruan dhe më pyetën, a e ke dëgjuar librin, dhe iu thashë mos se do i rritet vlera, kush ia dinte emrin librit dhe kush e ka shkruar. Beni tani kishte filluar me mbajt leksione, kush është myslimane dhe kush është islamik, nuk është hera e parë që ia fut kot, por mua më pëlqen se ti e di që me këtë tërheq vëmendjen. Pse more Ben i bie me një vend, se Beni shkon nga shkon, dhe ose poston foto me myslimane, ose poston vajzat myslimane duke u falur në shesh.
Më bëri përshtypje një pasazh i librit, kur thotë që sa e ka dëmtuar islami rrugën e Kavajës, nuk e ka dëmtuar komunizmi, po pse? A nuk i sheh Beni dy kisha e xhamija në rrugën e Kavajës që jetojnë në harmoni, vëllezërit tanë në shqiptari, takohen e bëjnë muhabet, qajnë hallet me njëri tjetrin. O Ben dikur ambasada amerikane lëshoi një alarm se do të ketë një sulm mbi kishat, Ben unë kam thënë që mbi trupit tanë do të kalojnë ata që duan të futen në kisha, e di ti Ben që në këtë xhami në vitin 2009 kemi bërë peticion për të njohur Kosovën, kanë qenë 52 mijë firma, dhe e kemi dërguar shkresën në organizatën e Bashkisë Islame.
Kemi bërë afërsisht 50 shtëpija për të varfërit, por më detyron, ti, a mos vallë këto që kemi bërë ne janë rrezik për Benin? Varet, se varet me çfarë kandaresh i peshon Beni, ose i ka humbur peshorja. Ti beson se e ke prejardhjen nga majmuni, dhe është e drejta jote ta besosh këtë, jo çdokush që bën të ndaluarat në islam ka dalë nga islami. Ne njihemi bashkë shumë, dhe jemi ulur në tavolina të përbashkëta, Ben se jemi dhe komshinj, ne jo ty, po askujt nuk ia urojmë të keqen, ne nuk themi e gjetsh prej Zotit, se Zoti ka dashur që të jesh i tillë.
Ne i lutemi Zotit, Zoti të udhëzotë. O Ben kjo fe është si puna e topit, po e gjujte vetëm ngrihet, prandaj merru me ato që të takojnë, shpresoj që ky mesazh ti shkojë Benit, dhe Beni të reflektojë për të mirën e tij, se ne nuk na bën asgjë. Më vjen keq kur dikush do të bëjë protagonizmin me myslimanët dhe islamin, na tregon ne ai Arabinë apo vendet arabe. O Ben nuk ka si islami jonë, nuk e di çfarë të ka tërhequr te arabvët?!
Në një sqarim gjatë promovimit të librit të tij, Blushi u shpreh se romani i tij përshkruan historinë e një shkrimtari i cili pas shumë peripecive vendos të bëhet mysliman. Pikëpamjet e tij për Islamin ndryshojnë gradualisht për shkak të disa luhatjeve në jetën e tij private dhe sidomos gjatë një vizite në Mekë ku ai mrekullohet. Në fund, pas një incidenti me një grup fanatikësh, shkrimtari shpall në facebook vendimin e tij me shënimin: Jam Mysliman./ZËRI