
TIRANË-Erald Çarçiu, prind u dy vajzave binjake që frekuentonin kopshtin publik në Gramsh ka zbuluar detaje të reja mbi helmimin e fëmijëve duke u shprehur se ngjarja vijon e mbahet sekrete nga autoritetet. Çarçiu në një deklaratë për mediat, informoi se helmimi i fëmijëve ka nisur 10 ditë më parë pasi kanë konsumuar supë pule. Në ditët në vijim më pas fëmijët kanë shfaqur shenjat e helmimit.
Ndër të tjera prindi shpreh edhe shqetësimin e familjarëve të tjerë, ku sipas tij nga komunikimi që ka patur me ta, raportohet se ka ende fëmijë të sëmurë që po marrin mjekimin në shtëpi.
"Akoma vazhdojnë ta mbajnë mbuluar, në mënyrë sekrete nëpër e-mail personale. Nuk arrij ta kuptoj pse është ky mbulim kur edhe ne kemi nevojë të na japin edhe këshilla, si të veprojmë me fëmijët. Ata fëmijët e prekur, si duhet të kurohen, ku duhet të kurohen. Nuk e kuptoj këtë heshjen, pse duhet ta mbulojnë, çfarë halli kanë që duan ta mbulojnë. Këtë nuk arrij ta kuptoj. Janë 14 raste fëmijë dhe staf, nuk janë 4. Është konfirmuar edhe tek të tjerët. Të premten e kaluar, fëmijët kanë konsumuar supë pule dhe pastaj kanë filluar shenjat. Një e nga një fëmijët. Përgjigjet e analizave këtu i vonuan, i kanë nxjerrë ditën e djeshme për 10 vetë. Me prindërit e fëmijëve që unë kam biseduar, ka një shqetësim. Me njërin prej tyre që unë kam qenë mbrëmë, fëmija kishte ende probleme. Shumica e fëmijëve e marrin mjekimin në shtëpi," tha ai.
Çfarë ka ndodhur në Gramsh?
Dy ditë më parë u raportua se rreth 70 fëmijë kanë përfunduar të helmuar pasi kanë ngrënë drekën në kopshtin publik nr.1 në Gramsh. Ngjarja ka ndodhur të martën, por është u zbulua më 24 maj, pasi institucionet e kanë mbajtur të fshehtë. Një pjesë e fëmijëve kanë qëndruar për ditë të tëra në spital me simptoma si vjellje, temperatirë, diarre dhe ethe. Analizat që janë bërë tregojnë se fëmijët janë helmuar nga bakteri i salmonelës. Dyshimet paraprake janë se helmimi ka ardhur nga ushqimi i ofruar nga kompania e shërbimit katering “Nelsa SHPK”. Për rastin kanë nisur hetimet nga Prokuroria e rrethit të Elbasanit, por ende nuk ka detaje të tjera. Prokuroria e Elbasanit ka nisur një hetim dhe janë sekuestruar kartelat klinike për pacientët e shtruar në spitalin e Gramshit, procesverbalet e kontrollit dhe furnizimit me produkte ushqimore të Kopshtit Nr.1./ZËRI