Aktualitet

Helmimi i 56 studentëve, Prokuroria i kërkon "llogari" AKU-së: Pse u zhbllokua aktiviteti i "Sori-Al"?

Grupi i hetimit kërkon t’i vendosen në dispozicion nga ky institucion, dokumentet nëse ka kryer më herët apo jo gjurmueshmërinë dhe kontrollin e ushqimit dhe produkteve.

zh.ll
Helmimi i 56 studentëve, Prokuroria i kërkon "llogari"
aku-akademia e sigurise

TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka intensifikuar hetimet lidhur me rastin e helmimit të studentëve të Akademisë së Sigurisë, duke iu drejtuar për herë të dytë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Mësohet se Prokuroria i ka dërguar sot një shkresë zyrtare për informacion lidhur me aktivitetin e kompanisë "Sori-Al". 

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se organi i akuzës po kërkon të dhëna të detajuara mbi vendimin për pezullimin dhe më pas rifillimin e aktivitetit të kompanisë “Sori-Al”, e cila furnizonte me ushqim institucionin.

Grupi i hetimit kërkon t’i vendosen në dispozicion nga ky institucion, dokumentet nëse ka kryer më herët apo jo gjurmueshmërinë dhe kontrollin e ushqimit dhe produkteve.

Në kuadër të procedurave hetimore, janë sekuestruar edhe kartelat mjekësore të 56 studentëve që shfaqën probleme shëndetësore pas konsumimit të ushqimit. Materialet i janë kaluar Institutit të Mjekësisë Ligjore, i cili pritet të kryejë ekspertizën përkatëse.

Hetuesit po verifikojnë nëse ndaj subjektit janë konstatuar më parë shkelje apo problematika të ngjashme, ndërsa pritet edhe raporti përfundimtar i Mjekësisë Ligjore, i cili do të ndihmojë në përcaktimin e shkakut të helmimit.

Fillimisht, AKU vendosi ndërprerjen e aktivitetit për subjektin “SORI-AL”. Ky vendim erdhi pasi nga nëntë mostra të marra për analiza, tetë rezultuan brenda normave, ndërsa një kampion makarona të gatshme, i marrë në kuzhinën e Akademisë së Sigurisë në Sauk, rezultoi pozitive me dy bakteret.

Megjithatë, pak ditë më vonë vendosi për zhbllokimin e aktivitetit të kompanisë, pasi analizat e mostrave për higjenën ambientale dhe të pajisjeve të punës brenda ambienteve të kuzhinës së Akademisë së Sigurisë, kanë rezultuar brenda normave të lejuara për treguesit e higjenës.

Ngjarja e rëndë në Akademinë e Sigurisë u raportua më 7 maj, ku 56 studentë të këtij institucioni përfunduan në spital, pasi dyshohet se u helmuan nga ushqimi gjatë konsumimit të vaktit të drekës. Pas konsumimit të drekës, studentët kanë shfaqur probleme shëndetësore dhe kanë pasur simptoma të rënda, me të vjella dhe dhimbje barku. Ata janë transportuar në spital ku kanë marrë mjekim dhe janë rikthyer sërish në akademi. Policia njoftoi se janë arrestuar kuzhinieri dhe teknologia e kompanisë katering, ndërsa është shpallur në kërkim administratorja, Alma Tafani./ZËRI

Poll

MOS HUMB