
SHBA- Uragani Milton, i cili cilësohet të jetë një nga më shkatërruesit në Amerikë, do të godasë fort Floridan mbrëmjen e së mërkurës. Për të shmangur viktimat, u urdhërua evakuimi i miliona qytetarëve që banojnë në shtetin amerikan, të cilët lajmërohen se mbrëmja e sotme do të jetë një çështje për "jetë a vdekje". Stuhia e kategorisë së pestë, me erëra të forta deri në 270 km/h, pritet të jetë më e forta që ka goditur shtetin në më shumë se 100 vjet.
"Evakuuohuni menjëherë, tani!,"-tha presidenti Joe Biden.
Guvernatori i Floridës Ron DeSantis paralajmëroi se një "përbindësh" po u afrohet.
Sinoptikanët paralajmërojnë shira të dendur, përmbytje, erëra të forta dhe stuhi. Zyrtarët lokalë paralajmëruan se uragani mund të dyfishohet në përmasa para se të godasë Floridën. Uragani pritet të kalojë në perëndim dhe në qendër të Floridës, e më pas do të afrohet me zonën e bregdetit para se stuhia të shuhet.
Çfarë është një uragan i kategorisë së pestë?
Milton është një uragan i kategorisë së pestë, të cilin Shoqata Kombëtare e Atmosferës Oqeanike (Noaa) e konsideron si "katastrofike". Ky lloj uragani ka erëra me shpejtësi më të madhe se 249 km/h dhe mund të shkaktojnë "dëme të mëdha". Pemët dhe linjat e energjisë elektrike gjithashtu mund të rrëzohen, duke bërë që zonat e banuara të izolohen dhe ndërprerjet e energjisë elektrike të zgjasin për gjatë. Sipas të dhënave të disponueshme, të paktën 40 stuhi në Atlantik kanë arritur statusin e kategorisë së pestë që nga viti 1924.
Sezoni i uraganeve në SHBA duket se është zgjuar... befas këtë vit. Në më pak se dy javë, dy uragane të mëdha u formuan në Gjirin e Meksikës. Ujërat në Gjirin e Meksikës vendosën rekorde të temperaturës këtë verë, por javët e fundit kjo rritje është përkeqësuar. Ekspertët e cilësojnë këtë fenomen si një “valë të nxehti detare”, e cila ka bërë që stuhitë të intensifikohen edhe më shumë.
Çfarë është "vala e nxehtësisë detare"?
Intensiteti i një stuhie varet kryesisht nga kushtet atmosferike si dhe nga temperatura e oqeanit. Ajri i thatë, për shembull, mund të dobësojë një stuhi. Nga ana tjetër, një oqean tepër i ngrohtë mund të përforcojë intensitetin e tij, duke rritur shpejtësinë e erërave dhe sasinë e reshjeve që do të sjellë. Edhe pse ujërat e ngrohta janë të nevojshme për uraganet, valët e të nxehtit detar shkaktojnë fenomene edhe më intensive.
Udhëtimi i Miltonit nuk ka përfunduar, megjithatë, dhe pritet të kalojë përmes rrymës ndërsa shkon në lindje drejt Floridës. Rryma teorikisht mund të forcojë Miltonin, por kushtet atmosferike – të tilla si erërat e shtuara – pritet të frenojnë intensitetin e uraganit. Parashikuesit thonë se stuhia mund të dobësohet përpara se të bjerë në tokë, megjithëse do të mbetet shkatërruese edhe nëse zvogëlohet në kategorinë 4 ose 3, në varësi të vendit dhe kohës kur bie në tokë./ZËRI