TIRANË-Një 42-vjeçar është arrestuar në flagrancë teksa ishte duke transportuar 10 kg kanabis. Vilson Shima u rrethua në Unazë të Madhe nga forcat e policisë, të cilët kishin informacion për një shtetas që po transportonte lëndë narkotike me automjet dhe posedonte sende të kundërligjshme në banesë.
Komisariati nr. 4 prej disa kohësh kishte në vëzhgim 42-vjeçarin Vilson Shima si i dyshuar i përfshirë në shitjen e lëndëve narkotike. Kanabisin e kishte siguruar në zonën e Baldushkut dhe do ta shiste në afërsi të zonës së njohur si ‘Kafja e Rremës’. Gjatë aksionit u sekuestruan 10 kilogramë knabis në automjet, ndërsa në banesën e tij gjatë kontrollit u gjetën 2 armë zjarri, 2 silenciator dhe municion luftarak.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Ndalesa”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje.
Sekuestrohen 10 kg kanabis, 2 armë zjarri pistoletë, 2 silenciator dhe municion luftarak, vihet në pranga 42-vjeçari. 42-vjeçari u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në Unazë të Madhe, duke transportuar 10 kg kanabis me qëllim shitjen.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për një shtetas që po transportonte lëndë narkotike me automjet dhe posedonte sende të kundërligjshme në banesë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Ndalesa”.
Si rezultat i operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi V. Sh., 42 vjeç, banues në Tiranë.
42-vjeçari u ndalua nga shërbimet e Policisë, në Unazë të Madhe, duke qarkulluar me një automjet, në të cilin gjatë kontrollit u gjetën, në total, 10 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, që dyshohet se e posedonte me qëllim shitjen.
Më tej, gjatë kontrollit të banesës së tij, iu gjetën dhe sekuestruan 2 armë zjarri pistoletë, 2 silenciator dhe municion luftarak.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./ZËRI