
TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka vendosur të pezullojë procedurat për ekstradimin e shtetasit rus Igor Kokunov në Rusi, duke përdorur si argument pretendimet se shteti njihet për trajtim çnjerëzor dhe për shtimin e akuzave ndaj të pandehurve. Në vendimin e GJK-së thuhet se rusi duhet të vazhdojë që të qëndrojë në izolim. Por vendimi ka ardhur me vonesëpasi avokati i rusit Kokunov, Isuf Shehu ka deklaruar se klienti i tij është duke u ekstraduar aktualisht drejt Rusisë.
“Klienti im është duke u ekstraduar në këto momente drejt Rusisë në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”,-tha avokati i Igor Kokunov, Isuf Shehu. Kokunov u arrestua rreth një vit më parë në Muriqan gushtin e vitit të kaluar në bazë të një urdhri kërkimi ndërkombëtar. Ai më herët kishte kaluar në Gjermani e në Malin e Zi.
Rusi Kokunov akuzohet për afro 30 vrasje në Rusi, ndërsa cilësohet edhe si koka e grupeve kriminale në Beograd, kryeqytetin e Serbisë. Gjatë qëndrimit në burgun e Reçit ka patur informacione se bandat serbe mund të ndërhynin për arratisjen e tij ndaj janë marrë masa ekstreme sigurie duke bllokuar të gjithë rrugën e gjykatës. Arrestimi i Kokunov u bë me qëllim ekstradimin drejt Moskës pasi 59-vjeçari ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ai konsiderohet si një person shumë i rëndësishëm i botës së krimit në Rusi dhe në Serbi.
Bosi i krimit Igor Kokunov, i njohur gjithashtu me nofkën “Vasya Bandit”, u arratis më 22 shkurt të vitit 2022 nga “arresti shtëpiak” në pritje të gjykimit. Gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore në fillim të muajit shtator, Igor Kokunov, ka pranuar se ka probleme me drejtësinë në Moskë, por proceset penale janë stimuluar për shkak të marrëdhënies jo të mirë që ka ai me regjimin diktatorial të Presidentit, Vladimir Putin./ZËRI