TIRANË- Sokol Sadushi i ka dorëzuar zyrtarisht detyrën e Kryetarit të Gjykatës së Lartë Ilir Pandës, në një ceremoni të zhvilluar këtë të premte në Sallën e Kolegjeve të Bashkuara. Në ceremoni morën pjesë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, këshilltarët ligjorë dhe punonjësit e administratës së institucionit.
Në ceremoni, Sadushi mbajti fjalën e tij duke falenderuar bashkëpunëtorët për angazhimin ndër vite, teksa bëri të ditur se do të vijojë të ushtrojë funksionin e gjyqtarit në Gjykatën e Lartë. Gjatë fjalës së tij, Sadushi kujtoi vështirësitë e fillimit, kur gjykata kishte vetëm një gjyqtar dhe mijëra dosje në pritje për shqyrtim.
“Për mua përfundon sot detyra e kryetarit, ndërsa vijon përgjegjësia si gjyqtar i kësaj gjykate. Do të vazhdoj të punoj përkrah jush, me të njëjtin përkushtim ndaj institucionit dhe ndaj qytetarëve që presin drejtësi”, u shpreh Sadushi.
Kryetari i ri i Gjykatës së Lartë, Ilir Panda, e cilësoi marrjen e detyrës si një përgjegjësi të lartë ndaj Kushtetutës dhe qytetarëve.
“Besimi i publikut ndërtohet përmes cilësisë së vendimmarrjes, arsyetimit të qartë e të qëndrueshëm gjyqësor, administrimit efikas të proceseve dhe përgjegjësisë institucionale”, deklaroi Panda.
Ilir Panda do të drejtojë Gjykatën e Lartë, ndërsa nga ana tjetër, Sokol Sadushi, me mbarimin e mandatit nuk largohet por do të vijojë kontributin e tij në këtë institucion si gjyqtar deri në vitin 2029.
Më 5 tetor, Ilir Panda u zgjodh ryetar i ri i Gjykatës së Lartë me 14 vota pro dhe asnjë kundër, si kandidat i vetëm në garë. Panda shpalli kandidaturën për drejtimin e Gjykatës së Lartë dhe dorëzoi dokumentet në ditën e fundit të afatit për kandidimet, 11 shtator.
Kush është Ilir Panda?
Ilir Panda është pjesë e Gjykatës së Lartë prej 11 marsit 2020. Panda është diplomuar jurist në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës,në vitin 1986, si dhe ka kryer disa kualifikime pasuniversitare të organizuara nga institucione shqiptare, evropiane dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mban gradën shkencore “Doktor”.
Panda ka punuar në disa sektorë të drejtësisë, duke filluar në organet e ndjekjes penale, në Drejtorinë e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, si avokat, si pedagog në Shkollën e Magjistraturës dhe në institucione të tjera të arsimit të lartë. Ka qenë ministër i drejtësisë, në vitet 1999-2000 dhe Zëvendëskryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në vitet 2003-2007.
Ai ka marrë pjesë si autor në shumë grupe pune për hartimin dhe rishikimin e legjislacionit, për hartimin e komentarëve, manualeve, buletineve, si dhe në projekte të rëndësishme në fushën e të drejtës. Është autor i shumë artikujve në fushën e të drejtës në disa revista shkencore dhe profesionale, si dhe i përkthimeve të ndryshme.
Gjithashtu, Panda ka qenë Këshilltar Ligjor i Avokatit të Popullit të Republikës së Shqipërisë, ekspert lokal i Unicef, i Këshillit të Evropës dhe i organizatave të tjera. Ka qenë anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë të Shqipërisë, në vitet 2002-2007, anëtar i Këshillit të Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë, anëtar i Këshillit Drejtues të “Intesa Sanpaolo Bank Albania” dhe anëtar i Këshillit të Arbitrazhit Sportiv.
Me dekretin Nr.11454, datë 11 Mars 2020, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë është emëruar anëtar i Gjykatës së Lartë./ZËRI
