Aktualitet

GJKKO rrëzon kërkesën e SPAK, s'pranohet kërkesa për konfiskimin e pasurive të Elvin Merlikës

GJKKO e ka konsideruar kërkesën e SPAK si të pabazuar në ligj dhe në prova. Gjithashtu urdhëroi gjithashtu revokimin e sekuestros së vendosur më parë dhe kthimin e pasurive tek pronarët e tyre.

zh.ll

 

GJKKO rrëzon kërkesën e SPAK, s'pranohet kërkesa
spak

TIRANË- Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka marrë vendimin për të rrëzuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për konfiskimin e pasurive të shtetasit Elvin Merlika dhe tetë personave të lidhur me të, të cilët janë në hetim pasuror.

GJKKO e ka konsideruar kërkesën e SPAK si të pabazuar në ligj dhe në prova. Gjithashtu urdhëroi gjithashtu revokimin e sekuestros së vendosur më parë dhe kthimin e pasurive tek pronarët e tyre.

Elvin Merlika është i dyshuar për veprën penale të “Sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” në dëm të Indrit Dokles. Emri i Elvin Merlikës doli në dosjen 'Plumbi i Artë', teksa i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani ka rrëfyer se ai së bashku me Alket Xhixhën e kanë takuar në Kosovë duke i propozuar atij vrasjen e Indrit Dokles. Vrasja e Dokles u kërkua nga Ervis Martinaj, i cili i ofroi 500 mijë euro Dumanit për vrasjen e ish-anëtarot të bandës së Durrësit.

NJOFTIM PËR MEDIAT

1. Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 22.01.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Konfiskim pasurie kundër subjektit Elvin Merlika, personave të afërm H.M, E.M, A.M, J.M, B.M dhe personave të tretë E.R, E.R dhe A.H”.

2.. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, në bazë dhe për zbatim të neneve 4, 15, 17 dhe 41 të Kushtetutës; neneve 3-7, 11, 12, 14 dhe 15 të ligjit nr. 10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” i ndryshuar; neneve 4 gërma “a”, 13 dhe 16 të ligjit nr. 34/2019 “Për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara”, i ndryshuar me ligjin nr. 19/2020; Jurisprudencës së GJEDNJ-së në çështjen “Yordanov and others v. Bulgaria”, datë 26.09.2023 dhe në çështjen “Todorov and others v. Bulgaria”, datë 13.07.2021, me vendimin nr. 17, datë 07.11.2025 vendosi:

1. Rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si të pabazuar në ligj dhe në prova.

2. Revokimin e sekuestros të caktuar në kuadrin e procedimit pasuror Nr. 2 të vitit 2022 me vendimin Nr. 4, datë 23.01.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe kthimin e pasurive të sekuestruara pronarëve të tyre.

3. Ngarkohet Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, Tiranë për ekzekutimin e këtij vendimi.

4. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi. Tiranë, më datë 07.11.2025 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

Poll

MOS HUMB