
TIRANË-Këtë të enjte është zhvilluar seanca e radhës ndaj Nuredin Dumanit, i pandehur i dosjes “Plumbi i Artë”. Gentian Sharra është shprehur i pafajshëm duke kundërshtuar deklaratat e Nuredin Dumanit, i cili e përfshin atë në disa ngjarje kriminale.
Sharra është shprehur se në vitin 2017, deklarimet e bizneseve të tij tek Tatim Taksat në Elbasan arrinin deri në 2 miliardë e 430 mln lekë dhe sipas tij, nuk kishte pse të merrte pjesë në grabitje për 2 mijë paundë. Gjatë dëshmisë së tij Sharra ka akuzar Dumanin se i ka kërkuar 200 mijë euro që të lehtësojë pozitat e tij penale.
“Nga 2012 e sot marr tendera dhe vazhdoj edhe sot. Tani i ka sekuestruar prokuroria. Jam taksapagues i rregullt. Kam pasur 13 biznese. Bar restorant, loto, servis, pikë shumice. Në kohën kur zotëria thotë kemi bërë vjedhje bashkë unë kisha 13 biznese. Dumanin unë e kam takuar tek lokali im. E kam njohur për njeri të sëmurë. Vëllai i këtij vinte e bënte biseda me Talo Çelën. Unë nuk e di nga i monton këto intriga Nuredin Dumani e duke më veshur një imazh negativ. Në 2017, nëse shikoni deklarimet tek Tatim Taksat në Elbasan unë kisha 2 miliard e 430 mln lekë. Kisha 200 mln lekë divident. A ka logjikë që Gentian Sharra të shkonte në Berat të vidhte 2000 pound? Në 9 shtator 2023 Dumanit i është lyer dhoma e burgut nga një djalë nga Durrësi. Më pas ai djali erdhi tek dhoma ime dhe më kërkoi 200 mijë euro në emër të Dumanit, në këmbim të lehtësimit të pozitave penale. Le të verifikohen kamerat e sigurisë”, ka thënë Sharra.