TIRANE- Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka folur për ecurinë e hetimeve që SPAK po zhvillon ndaj kompanisë Bankers Petroleum, duke theksuar se çelësi i zbardhjes së kësaj çështjeje lidhet me një institucion bankar jashtë Shqipërisë.
Sipas Lalës, prokuroria po verifikon rolin e disa ministrave dhe ish-ministrave, të cilët dyshohet se mund të jenë të përfshirë në këtë aferë, si edhe të kompanive apo individëve që dyshohet se kanë ndihmuar Bankers Petroleum në shmangien e detyrimeve tatimore.
Ajo tha se nga të dhënat e deritanishme të dosjes hetimore rezulton se llogaritë e kompanisë në Shqipëri janë zbrazur dhe paraqiten me humbje, ndërkohë që kompania ka deklaruar vazhdimisht humbje financiare dhe nuk ka paguar taksa. Ndërkohë, sipas saj, një bankë e nivelit të dytë në Austri dyshohet se ka kryer pagesa selektive, çka përbën elementin kyç të hetimit.
"Ne e kemi mbyllur 2025 me një emision për Bankers. Kam thënë po hetohen disa zyrtarë, ish ministra. Çfarë kam kuptuar nga dosja në SPAK, thelbi është një bankë e nivelit të dytë jashtë vendit, që rezulton se ka bërë pagesa selektive. Llogaritë e kompanisë në Tiranë, janë boshatisur dhe rezultojnë me humbje. Kjo kompani deklaron vetëm humbje dhe nuk ka paguar taksat. Por rezulton sipas të dhënave, që një bankë e nivelit të dytë, është dërguar letërporosi në Austri, kjo bankë ka bërë pagesa selektive dhe çelësi i kësaj çështje, nëse do të merren pagesa që ka kryer, të shihen zyrtarët, kompanitë, ish ministratë, kompanië e PR, lobimit e me rradhë, gjithë afera Bankers mund të zbardhet. Për momenti nuk ka ndonjë zhvillim, por prokurorët duhet të kthejnë sytë te kjo bankë e nivelit të dytë. Kështu kuptohet se cfarë ka ndodhur me aferën Bankes dhe sa miliona janë vjedhur. Janë minimalisht 5-6 ministra apo ish ministra të përfshirë. Që nga kompani, ose studio avokatore, kupton që janë në nivel të larta dhe pagesa shumë të larta. Një letër porosi, më rezulton se është nsiur drejt Austrisë dhe pritet të kuptohet se në favor të kujt janë nisur pagesat. Aty bëhet fjalë për pastirm parash në nivel marramendëse. Kompani offshore janë të vështira për të patur informacion. Anita Jella dhe Enkelejda Millonai, dy prokuroret e SPAK, kanë dërguar një sërë letërporosi dhe këtu është përqëndruar për momentin hetimi", tha Lala.
Çfarë ndodhi me Bankers? Verën e vitit 2024, Hetimi Tatimor zbuloi në "Bankers Petroleum” një skemë abuzimi, me miliona euro dëm shtetit. Zyrtarët akuzohen për veprat penale ‘fshehje të të ardhurave’, ‘pastrim parash’, ‘shpërdorim detyre’ dhe ‘moskryerje detyrash nga organet tatimore’. Hetimet e Prokurorisë së Fierit kanë zbuluar se kompania shmangu detyrimet tatimore duke deklaruar humbje për 20 vite. Edhe pse 'Bankers' nga viti 2004 deri në 2024 eksportoi dhe shiti brenda vendit 532 mld lekë naftë, por ka deklaruar humbje për vite me radhë, duke shmangur tatimet. Ndaj edhe dëmi i dyshuar në buxhetin e shtetit përmes përfitimit fiktiv të TVSH-së llogaritet në miliona euro. Tashmë hetimi i ka kaluar SPAK dhe priten zhvillime të tjera./ZËRI