Aktualitet

Gazetari Artan Hoxha paraqitet në SPAK, dorëzon audio-përgjimin origjinal për "21 Janarin": Dëgjohet qartësisht, vrasjet janë kryer me udhër

Mësohet se Hoxha ka dorëzuar audiopërgjimin origjinal të 21 Janarit, protestën ku u vranë katër persona.

zh.ll
Gazetari Artan Hoxha paraqitet në SPAK, dorëzon audio-përgjimin
artan hoxha

TIRANË- Gazetari Artan Hoxha është paraqitur mesditën e sotme në Prokuorinë e Posaçme. Mësohet se Hoxha ka dorëzuar audiopërgjimin origjinal të 21 Janarit, protestën ku u vranë katër persona. Në hyrje të SPAK, Hoxha bëri me dije për mediat se do dorëzojë diktofonin nga i cili janë regjistruar komunikimet e zinxhirit komandues të gardës gjatë demonstratës së 21 janarit.

Pas daljes nga SPAK, Hoxha është ndalur për mediat, duke thënë se materiali që ka dorëzuar sot është një kasetë origjinale e regjistruar në audio. Sipas gazetarit, në këtë audio dëgjohet qartësisht se 'vrasjet nuk janë bërë nga pakujdesia, por me urdhër'. Lidhur me këtë, Hoxha thotë se urdhërat janë dhënë nga komandanti i Gardës, para, gjatë dhe pas momentit kur ndodhën vrasjet në bulevard. 

“Ka qenë një deklarim i gjatë në lidhje me procedimin që ka hapur SPAK.  Unë pata paraqitur një kasetë, dhashë edhe deklarimet për ngjarjet konkrete. Në vijim të atij deklarimi jam paraqitur sot. Kam dorëzuar kasetën origjinale. Është një kasetë diktofoni. Edhe kaseta e parë nuk është ekspertuar akoma. Materiali që është dorëzuar sot është kaseta origjinale e regjistruar në audio ku dëgjohen qartësisht urdhrat që janë dhënë nga komandanti i Gardës, para gjatë dhe pas momentit kur ndodhën vrasjet në 21 janar. Tashmë kemi një indicie që të çon drejt provës. Ky audio regjistrim dëshmon qartë që vrasjet nuk janë bërë nga pakujdesia, por janë bërë me urdhër dhe ka pasur hierarki që komandonte të gjithë forcat e Gardës”, tha Artan Hoxha.

HETIMET

Dosja e 21 janarit ka kaluar në 'duart' e SPAK! Ashtu siç u udhëzua edhe nga Gjykata e Lartë, hetimi që do të kryhet nga SPAK duhet që të zbardhë rolin e ish-kryeministrit Sali Berisha; ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, Ndrea Prendit dhe të tjerëve të përfshirë në vrasjen e 4 protestuesve në bulevard. SPAK njoftoi se më datë 15 korrik 2024 është regjistruar nisja e hetimeve për disa vepra penale: “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim.

Çfarë ndodhi më 21 janar?

Një protestë e thirrur nga Partia Socialiste, asokohe në opozitë doli jashtë kontrollit dhe do të përfundonte me vrasjen e Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës para Kryeministrisë, pas të shtënave me armë zjarri nga Garda e Republikës. Partia Demokratike, në qeveri do e cilësonte tubimin si grusht shtetit dhe krim shtetëror. Nga 2011 deri më sot, dosja e 21 janarit është ende në gjykatë. Në lidhje me ngjarjen u morën të pandehur Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, ndërsa gjykata vlerësoi me vendim se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia. Të dy të pandehurit u dënuan, Ndrea Prendi me 1 vit ndërsa gardisti Agim Llupo me 3 vite burg. Familjarët e viktimave prej 13 vitesh kërkojnë drejtësi ndërsa akuzat politike rishfqen para çdo fushate elektorale./ZËRI

Poll

MOS HUMB