Aktualitet

Gati një javë aksion, mbi 80 bujtina të shembura! Rrëfime nga Thethi, pronarët humbasin kursimet e jetës: Na dha leje Bashkia

Që nga nisja e aksionit dhe deri më sot, numri i objekteve që janë shembur ka shkuar në rreth 80, por pritet që të vijojë.

k.m.
Gati një javë aksion, mbi 80 bujtina të shembura! Rrëfime
Pamje nga Thethi

SHKODËR- Prej thuajse një jave, Thethi në vend të turistëve është "pushtuar" nga fadromat dhe forcat e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit që po shembin kabinat dhe bujtinat që janë ndërtuar pa leje. Që nga nisja e aksionit dhe deri më sot, numri i objekteve që janë shembur ka shkuar në rreth 80, por pritet që të vijojë. Teksa godinat shemben, në terren ka përplasje të forta, deklarata, protesta, madje dhe molotovë artizanalë. Banorët e zonës u dukën të vendosur për të mbrojtur pronat e tyre, por nuk ia kanë dalë! Kulmi i përplasjeve ndodhi 2 ditë më parë kur një grup banorësh u përplasën me Policinë dhe qëlluan me molotov fadromat që shkuan për t'u shembur pronat. Një tjetër banor tentoi të digjte urën në fshatin Gjelaj, ku do të kalonte mjeti i IKMT-së. Nuk pati të lënduar, teksa hedhja e molotovit shkaktoi flakë pranë mjetit dhe dëme materiale në urë, por nisi një përplasje verbale. Në një debat të ashpër mes shefit të IKMT-së, Fatmir Metaj, dhe një banori të Thethit, ai u shpreh:

“Nuk mund të hedhësh molotov dhe të vrasësh punonjësit e shtetit. Nuk është normale. Ke ndërtuar pa leje, je i paligjshëm. Nuk është e pranueshme të vrasësh njerëzit. Po të ishe ti atje, do të kishte pasur pasoja. Jo me molotov, nuk mund ta kthehesh shtetin mbrapa as me armë, as me kallash. Të jesh i bindur ti dhe një mijë si ty.”

Edhe dje, situata nuk ishte më e mirë! Përplasjet vijuan, ndërsa në terren për herë të parë shkuan edhe përfaqësues të Partisë Demokratike. Deri më tani, në zonë kishte shkuar deputetja Gerta Bardeli, por roli i saj duket se ishte thjesht i "vëzhgueses". Ndaj duket se detyra i kaloi ish-kryebashkiakut Bardh Spahia dhe drejtuesit politik të qarkut Shkodër, Luçiano Boçi. Përveçse banorët, nuk munguan as përplasjet e tyre me Policinë, edhe pse në fund nuk shërbyen për asgjë. Objektet u shembën sërish.

Por teksa aksioni vijon, duket se banorët janë të vendosur që të ringrejnë atë që u rrënua në pronat e tyre. Dje, të gjithë kanë thënë prononcime në media duke shprehur indinjatën dhe dëshpërimin për atë që iu ka ndodhur. Një prej tyre premton se edhe pse godina e parë u prish, ai sërish do të ndërtojë në tokën e tij. Për ndërtimin bën me "faj" Bashkinë Shkodër që u ka dhënë leje për të ndërtuar.

“Ka pasur turistë pa masë, kanë folur edhe për mediat dhe janë ndjerë të frikësuar. Qëllimi i shtetit mafioz është të trembë rininë shqiptare dhe të largohen ashtu siç janë larguar në të gjithë Shqipërinë. Ne nuk i lëshojmë trojet tona, nuk i kanë lëshuar as të parët tanë. Edhe biznes nuk do zhvillojë kush këtu. Edi Rama ka ndez një zjarr këtu. Ai të rrijë si kryeministër në punë të vet. Ideja se po shet Thethin , mos ta besojë. Bujtinën e kam bërë me djersën time dhe e ka prishur Edi Rama. Do ta rindërtoj prap dhe s’do ta lëshojmë. Do largojmë edhe ata që nuk janë banorë të Thethit. Të tjerët vetëm do vinë për rezervim javor. Toka është e Thethit, nuk e lëshojmë pa gjak. Këto bujtina i kemi ndërtuar që në vitin 1997. Nga ana tjetër edhe bashkia Shkodër i ka lënë lirshëm njerëzit që të ndërtojnë, dhe banorët janë nxituar. Kjo është bërë me qëllim t’u marrin qytetarëve votat e pas tyre, t’ua shembin bizneset. Ne s’kemi vrarë askënd. As kohë nuk na kanë lënë, vetëm një orë dhe me fadromë nga mbrapa,”- tha banori.

Linda Tinari ka treguar se ka investuar në Theth me shpresën për të ofruar mundësi jetese për fëmijët e saj, por tashmë e gjen veten në nëj krizë financiare.

“Kam 4 fëmijë, tre në emigrim në Itali dhe një 18 vjeçar këtu në Shqipëri. Kam ndërtuar në Theth për ta, sepse ky është vendi i të parëve tanë. Rama ka thënë se rinia e Thethit duhet të kthehet dhe të ndërtojë këtu. Ne kemi ndërtuar në tokën e të parëve tanë, tokë mijëvjeçare. I kam dalë fadromës para. Unë kam bërë gjithçka për të kthyer fëmijët e mi, por tani iu kam shkatërruar jetën. Djali 18-vjeçar punon në restorante të Thethit, por rroga e tij është qesharake dhe nuk mjafton as për shpenzimet e shkollës. Kryeministri kur ka ardhur në Theth ka deklaruar të ndërtojmë. Me çfarë t’i ndërtojmë? Mua më ka nxjerrë në rrugë të madhe. Jam e mbytur në borxhe. Nuk ka banor të Thethit që ka ndërtuar dhe nuk është në borxhe. Më datë 2 dhjetor ka ardhur Benet Beci në Theth dhe ka fotografuar vetëm ndërtesën time, e ka bërë publike. Policia ka ardhur më pas në 10 të darkës për të arrestuar burrin. Jam unë ajo që e ka ndërtuar, i kam ndjekur unë punët sepse bashkëshorti nuk ka qenë dakord të ndërtojmë nga frika se do ndodhte diçka e tillë. Policisë i kam deklaruar se jam unë ajo që kam ndërtuar, me letra. Ata më thanë se e kanë urdhër ta arrestojnë. Ka bërë tre netë burg e më pas e lanë arrest shtëpie një muaj. Sot ai është i dënuar 4 vjet shërbim prove, dhe unë jam e dënuar 100 milionë lekë gjobë. Mua gjykata nuk më ka dhënë urdhër për shembje, asgjë. Nuk kam marrë asnjëherë urdhër të prerë. Më kanë ardhur befasisht,"- tha Lindita Tinari.

Edhe pse në një situatë të vështirë, Lindita Tinari kërkon drejtësi për veten dhe për të gjithë banorët e Thethit që kanë përjetuar situata të ngjashme. Por si ajo, të tjerë që kundërshtojnë aksionin janë shumë. Megjithatë asgjë nuk duket se do të ndryshojë. Operacioni për prishjen e ndërtimeve pa leje në Theth, pavarësisht kundërshtimit të banorëve, duket se do të vijojë. Edhe pse për të gjitha qytetet e tjera ka reaguar publikisht dhe ka publikuar pamjet, duke se për rastin e Thethit, kreu i qeverisë, Edi Rama ka vendosur që të heshtë  dhe për atë të po ndodh të flasë IMT dhe Policia e Shkodrës./ZËRI

Poll

MOS HUMB