TIRANË- Rovena Zoto (Bozo) është zyrtarisht kandidatja e dytë në garë për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Prokurorja e Prokurorisë së Tiranës ka dorëzuar kandidaturën pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), duke iu bashkuar garës pas prokurorit të posaçëm të SPAK, Adnan Xholi, i cili aplikoi një ditë më parë.
Zoto ushtron detyrën e prokurores që prej vitit 2010, pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës. Gjatë karrierës së saj ka shërbyer në Prokurorinë e Lushnjës, Fierit dhe Tiranës.
Prej vitit 2021 ajo është pjesë e Prokurorisë së Tiranës, ku fillimisht ka punuar në Seksionin për Narkotikët, Trafiqet dhe Krimet e Rënda ndaj Jetës, ndërsa më pas në Seksionin e Posaçëm. Që nga marsi i vitit 2026, Zoto drejton Seksionin për Drejtësinë Penale për të Miturit pranë kësaj prokurorie.
Gjatë karrierës së saj ka hetuar çështje që lidhen me krimet financiare dhe hetimet pasurore. Ndër dosjet më të fundit të drejtuara prej saj është ajo ndaj Granit Pepnikes, në lidhje me aktivitetin e call center-ave.
Ndërkohë, një tjetër emër i është shtuar garës për drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme. Ylli Pjetërnikaj ka dorëzuar dokumentet pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) dhe ka shprehur interesin për të konkurruar për këtë post. Pjetërnikaj është kandidati i tretë që hyn në garë, pas Adnan Xholit dhe Rovena Zotos.
Ylli Pjetërnikaj është prokuror dhe pedagog në Shkollën e Magjistraturës, me gradën akademike Doktor i Shkencave në fushën e së drejtës. Ai ka një karrierë të ndërtuar në prokurori, mësimdhënie dhe kërkim shkencor. Gjatë aktivitetit të tij profesional ka ushtruar detyrën e prokurorit në Kukës, Lezhë, Tiranë dhe Shkodër, ku ka shërbyer edhe si drejtues i Prokurorisë.
Pjetërnikaj është autor dhe bashkautor i veprave shkencore në fushën e të drejtës penale dhe është i specializuar në krimin kibernetik përmes programit Cranfield University, në kuadër të bursës Chevening Western Balkans Cyber Security Fellowship. Ai është anëtar i Bordit Editorial të International Association of Prosecutors (IAP) dhe i Association Internationale de Droit Pénal (AIDP). Gjatë karrierës së tij ka kontribuar në hartimin e legjislacionit penal, reformën në drejtësi dhe procesin e integrimit europian, duke përfaqësuar Shqipërinë në forume ndërkombëtare të nivelit të lartë.
Një ditë më parë, më 29 korrik, kandidaturën për postin e Prokurorit të Përgjithshëm e dorëzoi edhe prokurori i posaçëm i SPAK, Adnan Xholi, duke u bërë kandidati i parë që hyn zyrtarisht në garën për kreun e organit të akuzës.
Afati për dorëzimin e kandidaturave për postin e Prokurorit të Përgjithshëm përfundon më 1 gusht, në orën 00:00. Deri atëherë pritet të paraqiten edhe kandidatë të tjerë. Më pas, deri më 14 gusht, KLP do të verifikojë nëse kandidatët plotësojnë kushtet ligjore. Sipas ligjit, KLP i propozon Kuvendit tre kandidatë, ndërsa Prokurori i ri i Përgjithshëm zgjidhet nga Parlamenti për një mandat 7-vjeçar.
KLP hapi procedurën për përzgjedhjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm përmes një thirrjeje publike, pasi mandati 7-vjeçar i Prokurorit të Përgjithshëm aktual, Olsian Çela, përfundon në dhjetor të këtij viti./ZËRI
