GREQI- Një incident i rëndë është regjistruar mëngjesin e kësaj të shtune në Greqi, ku një 41-vjeçar shqiptar është përfshirë në një shkëmbim zjarri me policinë, duke mbetur i plagosur.
Sipas burimeve, bëhet fjalë për Alesio Xhelo, 41-vjeç, nga Fieri, i njohur në Greqi me nofkën “Titi” dhe më herët me emrin Astrit Hasani.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:30 në zonën e Mikrolimanos, teksa i dyshuari dyshohet se po përpiqej të arratisej dhe ka qëlluar me armë drejt efektivëve të policisë. Sipas mediave greke, efektivë të Njësisë Kundër Krimit të Organizuar po kryenin një kontroll në zonë kur kanë identifikuar të dyshuarin.
Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, Xhelo u plagos dhe u transportua me ambulancë në spitalin “Attikon” në Athinë, ku po merr ndihmë mjekësore.
Ndërkohë, në vendngjarje policia ka sekuestruar 6 granata dore dhe 3 armë zjarri, duke ngritur dyshime se ai mund të ishte duke u përgatitur për një ngjarje kriminale.
Kush është Alesio Xhelo?
Alesio Xhelo nga Fieri rezulton emër i njohur për autoritet, si person me të shkuar kriminale. Ai ka qenë i shpallur në kërkim në Greqi për vrasje, rrëmbim personi dhe shkëmbime zjarri me policinë, dhe më parë kishte qëndruar në arrest shtëpie në Fier nën mbikëqyrjen e FNSH.
Ai është arratisur nga burgu i "Petro Ralli" në Greqi në 2019, duke marrë peng një gardian, dhe ishte i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje. Pas arratisjes, u kap në Fier në vitin 2025 me një armë pa leje dhe i ishte vendosur arrest shtëpie në Fier. Ndaj Xhelos ishte caktuar masa arrest shtëpie, ndërsa ka ofenduar dhe kërcënuar punonjësin e FNSH-së, i cili kishte si detyrë ta ruante atë.
40-vjeçari rezulton një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, pasi akuzohet për disa vepra penale. Ndaj tij, rëndojnë akuzat për veprat penale "Trafikimi i armëve dhe municionit luftarak", "Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit", "Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit", të kryera në bashkëpunim dhe "Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit", e mbetur në tentativë.
Pas arrestimit në Fier, në mar të një viti më parë, me mbikqyrje 24 orë nga FNSH, mbetet e paqartë se si Xhelo ka përfunduar në Greqi. Dyshohet se pavarësisht masave të sigurisë, ka qarkulluar edhe në Shqipëri gjatë muajve të fundit para arratisjes.
Madje, vetë ai ka publikuar një video në platformën Tik Tok në tetor 2025. Në video, ai shfaqet duke dalë nga një Komisariat shqiptar policie e duke u përqafuar me familjarë, ndërsa me pas shfaqet në mjedise të ndryshme në qytetin e Sarandës.
Dyshohet se në muajt e parë të këtij viti para se të kalonte ilegalisht kufirin për Greqi, pasi aty ishte person i shumëkërkuar, Alesio Xhelo qarkullonte në qytetin e Sarandës ku edhe strehohej./ZËRI
