Aktualitet

Fati tragjik i dy 14-vjeçarëve! Familja Cani: Martini dhe Eraldi nuk u vranë nga TikTok, të merren masa

Në reagimin e tyre prindërit e Martin Canit, theksojnë se djali i tyre, ashtu si edhe bashkëmoshatari i tij, 14-vjeçari në Maliq, nuk u vranë nga rrjetet sociale, por nga mungesa e theksuar e sigurisë

F.I
Fati tragjik i dy 14-vjeçarëve! Familja Cani: Martini dhe Eraldi nuk
Erald Xhejo dhe Martin Cani

TIRANË-Ngjarja e rëndë në Pirg të Maliqit, ku u vra me thikë Erald Xhejo, ka sjellë edhe reagimin e prindërve të Martin Canit, 14-vjeçarit i cili gjithashtu mbeti viktimë e sulmit me thikë në shkollën 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë.

Në reagimin e tyre prindërit e Martin Canit, theksojnë se djali i tyre, ashtu si edhe bashkëmoshatari i tij, 14-vjeçari në Maliq, nuk u vranë nga rrjetet sociale, por nga mungesa e theksuar e sigurisë, papërgjegjësia institucionale dhe dështimi i sistemit që duhet të mbrojë fëmijët.

Familja Cani kërkon masa konkrete dhe të menjëhershme: rritjen e sigurisë në shkolla, angazhim më të madh të komunitetit dhe prindërve, si dhe fuqizimin e sistemit të shëndetësisë mendore dhe sociale për të identifikuar dhe parandaluar raste të tilla përpara se të shndërrohen në tragjedi.

Deklarata për shtyp e familjes Cani:

“Megjithë mbylljen e rrjetit social TikTok nga qeveria, një i mitur tjetër u vra nga një bashkëmoshatar në Maliq. Kjo tragjedi e re tregon qartë se mbyllja e TikTok nuk ishte zgjidhje, por vetëm një pretekst politik. Kush e ka radhën që të fajësohet tani për këtë krim të rëndë? Snapchat apo Instagram?

Ne kërkojmë që qeveria të ndërmarrë masa konkrete, jo thjesht reforma kozmetike për opinion publik. Kërkojmë veprime të dukshme dhe efektive për përmirësimin e sigurisë në shkolla, forcimin e bashkëpunimit me familjet, angazhimin e komunitetit dhe fuqizimin e sistemit shëndetësor. Vetëm me masa të tilla mund të parandalohen tragjedi të tjera dhe të shpëtohen jetë fëmijësh.

Martini dhe Eraldi nuk u vranë prej rrjeteve sociale. Ata u vranë nga mungesa e sigurisë, nga papërgjegjësia institucionale dhe nga dështimi i sistemeve që duhet të mbrojnë jetën e fëmijëve. Mbyllja e një aplikacioni nuk e kthen mbrapsht realitetin dhe nuk zgjidh problemet.

Në këtë moment dhimbjeje të madhe, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për nënën dhe familjen e të miturit të vrarë në Maliq. E dimë se çfarë do të thotë të humbasësh dritën e jetës, dhe ndajmë me ta dhimbjen e pamasë. Zëri ynë bashkohet me të tyren në thirrjen për drejtësi dhe për masa të vërteta, që asnjë nënë tjetër të mos derdhë lot për fëmijën e saj. Familja Cani!".

14-vjeçari, Erald Xhejo humbi jetën nga goditjet me thikë të një bashkëmoshatari i tij më 14 gusht. Ngjarja ka ndodhur në ambientet e jashtme të një lokali, ku sipas të dhënave të para, gjithçka nisi pas një konflikti banal me fjalët: "Çfarë ke që më shikon?". Policia arrestoi autorin e dyshuar E.G., po bashkëmoshatar të mitur. Gjithashu u arrestuan babai e xhaxhai i autorit dhe u morën nën akuzë 5 persona të tjerë për këtë ngjarje.

Martin Cani, po 14 vjeç, humbi jetën mesditën e 18 nëntorit pasi u qëllua me thikë në bark nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj. Sherri mes të miturve kishte nisur që të premten. Të hënën ishin riparë dhe ishin zënë gjatë orarit të pushimit të gjatë në oborrin e shkollës./ZËRI

Poll

MOS HUMB