
TIRANË- Në Komisionin Hetimor për Sterilizimin ka pasur sërish debate në lidhje me dëshmitë. Deputeti i Partisë Socialiste Petro Koçi tha se ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj duhet të japë dëshminë e tij, qoftë edhe përmes një prezantimi power-point, pasi kjo është brenda ligjit.
Por, kryetarja e Komisionin Albana Vokshi tha se dëshmia e Beqajt nuk mund të bëhet me prezantim me power-point. Vokshi akuzoi socialistët se atyrë po i vjen keq për një hajdut.
Plarent Ndreca: Doni të shkoni në një agjendë që keni përcaktuar. Po merreni me individë, jo çështje.
Albana Vokshi: Ju kishit përgatitur këtë skenar.
Petro Koçi: Duhet të dëgjojmë Ilir Beqajn, pasi është në pozitë delikate.
Albana Vokshi: Të vjen keq se ka vjedhur? Është kapur duke vjedhur në fondet e BE. E sollët Beqajn me pranga për të bërë shou.
Petro Koçi: Ne jemi në favor të ligjit. Kushdo që ka bërë gjëra antiligjore, le të dënohet. Ne nuk jemi gjykatë. Parti policore jeni ju. Në krye të partisë keni një kryepolic. Nuk kemi sjellë asnjë njeri ne në pranga. Zotëria ka ardhur me pranga, për shkak të situatës ku ndodhet. Ti mund të kesh dëshirë të vijnë dhe deputetët e PS këtu me pranga, por kjo nuk është me dëshirë. Ligji nuk e ndalon që deklarata të jetë e shoqëruar me foto, video. Mos e prishni për çështje teknike.
Albana Vokshi: Nuk lejohen prezantimet me power-point.
Edmond Spaho: Ju nuk doni që në Komisionin Hetimor për Shëndetësinë të vijë Edi Rama, që ka firmosur për koncesionin e Sterilizimit. /ZËRI