Aktualitet

Dy punonjëset në Bilisht vodhën 22 mln lekë, reagon Posta Shqiptare: Nuk janë prekur pensionet!

Përmes një deklarate për mediat, Posta Shqiptare siguron qytetarët se fondet e pensioneve nuk janë cenuar dhe shpërndarja e tyre vijon normalisht, pa asnjë ndërprerje, duke garantuar vazhdimësinë e shërbimit për të gjithë përfituesit. 

zh.ll
Dy punonjëset në Bilisht vodhën 22 mln lekë, reagon Posta
posta shqiptare

KORÇË- Posta Shqiptare ka reaguar lidhur me procedimin e dy punonjësve të postës në Zyrën Postare Bilisht, duke theksuar se ka depozituar zyrtarisht kallëzim penal pranë organeve kompetente të drejtësisë. Përmes një deklarate për mediat, Posta Shqiptare siguron qytetarët se fondet e pensioneve nuk janë cënuar dhe shpërndarja e tyre vijon normalisht, pa asnjë ndërprerje, duke garantuar vazhdimësinë e shërbimit për të gjithë përfituesit. 

Në reagim, Posta thekson se ka bashkëpunuar dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë plotësisht me organet e hetimit për zbardhjen e plotë të këtij rasti, duke vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin dhe informacionin e nevojshëm.

Njoftimi i plotë i Postës:

Posta Shqiptare informon opinionin publik se, pas konstatimit të disa parregullsive në administrimin e fondeve financiare në Zyrën Postare Bilisht, Filiali i Postës Shqiptare Korçë ka ndërmarrë menjëherë të gjitha veprimet administrative dhe ligjore të parashikuara nga legjislacioni në fuqi.

Si rezultat i kontrolleve të brendshme të kryera nga strukturat përkatëse të institucionit, janë evidentuar dyshime të arsyeshme për mungesë fondesh dhe parregullsi në dokumentacionin financiar. Për këtë arsye, Posta Shqiptare, nëpërmjet Filialit Korçë, ka depozituar zyrtarisht kallëzim penal pranë organeve kompetente të drejtësisë, duke kërkuar fillimin e procedimit penal për personin përgjegjës, në përputhje me dispozitat e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale.

Posta Shqiptare siguron qytetarët se fondet e pensioneve nuk janë cenuar dhe shpërndarja e tyre vijon normalisht, pa asnjë ndërprerje, duke garantuar vazhdimësinë e shërbimit për të gjithë përfituesit.

Posta Shqiptare thekson se ka bashkëpunuar dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë plotësisht me organet e hetimit për zbardhjen e plotë të këtij rasti, duke vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin dhe informacionin e nevojshëm.

Institucioni distancohet nga çdo formë abuzimi me detyrën dhe mbetet i angazhuar maksimalisht për garantimin e transparencës, ligjshmërisë dhe mbrojtjes së interesit publik. Çdo shkelje e konstatuar trajtohet me seriozitet maksimal dhe referohet pa vonesë pranë autoriteteve kompetente.

Duke respektuar procesin hetimor dhe parimin e prezumimit të pafajësisë, Posta Shqiptare nuk mund të japë detaje të mëtejshme mbi çështjen në këtë fazë, por siguron publikun se po merren të gjitha masat e nevojshme për forcimin e kontrollit të brendshëm dhe parandalimin e rasteve të ngjashme në të ardhmen.

Dy drejtuese të Degës së Postës Shqiptare në Devoll janë proceduar penalisht nga Policia e Korçës. Dy punonjëset të moshës 29 dhe 27-vjeç akuzohen për falsifikim dhe shpërdorim detyre, pasi u raportua se kanë vjedhur nga fondi i postës një shumë prej 22 milionë lekë të reja.

Njoftimi i policisë

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për veprat penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim, për shtetaset:

 -P. Sh., 29 vjeçe, banuese në Bilisht, me detyrë përgjegjëse e zyrës postare Vishocicë, Devoll;

 -E. Ç., 27 vjeçe, banuese në Bilisht, me detyrë arkëtare-llogaritare, në degën postare Devoll.

Nga hetimet dyshohet se këto shtetase, në bashkëpunim me njëra-tjetrën, gjatë periudhës shtator 2025 - janar 2026, kanë vjedhur rreth 22 000 000 lekë të rinj nga fondi i postës, duke shpërdoruar detyrat. Shtetasja P. Sh. dyshohet se ka përvetësuar dhe shpërdoruar fondet e pensioneve dhe të ndihmës ekonomike (kryesisht të pensionistëve që jetonin jashtë shtetit), duke falsifikuar nënshkrimet e tyre, ndërsa shtetasja E. Ç. dyshohet se ka manipuluar, hequr dhe falsifikuar mandatpagesat nga evidenca e librave të arkës dhe sistemit të menaxhimit të parave cash, për të favorizuar vjedhjen e fondeve nga 29-vjeçarja.

Vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë të dyshuar që mund të jenë përfshirë në këtë rast./ZËRI

Poll

MOS HUMB