BULQIZË- Një grup të rinjsh në Bulqizë ka organizuar një protestë paqësore pas humbjes tragjike të bashkëmoshatarit të tyre, 15-vjeçarit Erion Boba pas një sherri me thika në qytetin e Durrësit. Me pankarta në duar, ata apeluan për më shumë siguri dhe mbrojtje të jetës së të rinjve. Gjithashtu të rinjtë kërkuan nga institucionet shtetërore që të ndërmarrin masa për të parandaluar ngjarje të tilla. Ata shprehën ngushëllimet e tyre për familjen e Erjon Bobës.
“Ne si të rinj e kemi përjetuar shumë keq se të gjithë mund të ndodhi të dalin dhe të na vrasin. Na rrezikohet çdo ditë jeta dhe të mos jemi të siguritë të flasim atë që duam, të bëjmë atë që duam dhe ne nuk duhet të heshtim për këtë. Familja ka rolin më të rëndësishëm sepse është ajo që i jep fëmijës kulturën, i mëson sesi të sillen, si të përballojnë një çështje pa lënduar veten e të tjerët dhe të kontrollojnë emocionet për të mos shkuar në tragjedi të tilla”, -tha një prej nxënësve.
Erion Boba, 15-vjeç, ndërroi jetë 2 ditë më parë në QSUT, pasi u qëllua me thikë nga bashkëmoshatari i tij në shkollën ‘Dom Nikollë Kaçori” në Durrës, gjatë një përleshjeje të nxitur nga një debat online. Katër plagë i përshkuan gjoksin, një prej të cilave në zemër, që rezultoi të ishte fatale për të miturin. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve në spitalin e Durrësit, dhe më pas të atyre në QSUT, Erioni nuk ia doli, duke u bërë rasti i dytë në pak kohë, pas atij të Martin Camit, ku nxënësit vriten pas konflikteve të nisura në shkollë.
Autori, 14-vjeçar ka shprehur pendesë përpara grupit hetimor, ku me keqardhje deklaroi se nuk kishte qëllim për të vrarë 15-vjeçarin. Sipas dëshmisë mësohet se në sherr janë përfshirë shumë persona, bashkëmoshatarë, të ndarë në grupe. I mituri deklaroi se ishin pajisur me mjete të forta, si masë për ndonjë konflikt të mundshëm. Ditën e ngjarjes, pasi kanë debatuar dhe qëlluar me sende të forta, 14-vjeçari ka nxjerrë thikën, por sipas tij për vetëmbrojtje dhe vetëm për ta trembur./ZËRI