
TIRANË-Deputetja e Partisë Socialiste Klotilda Bushka është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në lidhje me hetimet ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj. Bushka ka lënë ambientet e SPAK pas 4 orësh, ndërsa ka preferuar të mos flasë para mediave, duke iu shmangur pyetjeve.
Ka qenë avokati i socialistes, Henrik Ligori që ka thënë se ndaj klientes së tij nuk ka asnjë akuzë dhe nuk ka komente për mediat.
"Nuk ka komente, nuk ka akuzë", ka thënë Ligori.

Socialistja po hetohet nga SPAK për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Sipas Prokurorisë së Posaçme, deputetja ka ndërhyrë në hetimet e SPAK ndaj Erion Veliaj në dhjetor të vitit 2024. Kjo vepër penale përfshin kryerjen e veprimeve për të ndryshuar vendin e kryerjes së veprës penale duke prishur, ndryshuar apo fshirë gjurmët e saj ose duke lëvizur, fshehur, asgjësuar, vjedhur, falsifikuar një send apo një dokument me qëllim për të vështirësuar dhe penguar zbulimin e veprës penale dhe të autorit të saj. Ndërsa në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisxë Socialiste, Bushka është shprehur se ka njohje me Veliajn dhe Xoxen dhe miqësi të vjetër me ta, por kurrë nuk ka interferuar në paligjshmëri, madje akuzat dhe lajmin eka mësuar vetëm nga mediat.
“Sa i përket pretendimit për pengesë të së vërtetës. Po e kam takuar vajzën në fjalë si person që kam punuar më parë dhe kam lidhje gjaku. Ina Goxhaj është kushërira ime. E kam qetësuar duke e këshilluar të thotë të vërtetën dhe i kam sugjeruar si juriste një kushërire të drejtat e saj. vetëm kaq, nuk e kam penguar të thotë asgjë, as kam tentuar të fsheh ndonjë të vërtetë sepse jam e para e interesuar që e vërteta të dalë. E kam kritikuar kushërirën time për faktin se adresa e organizatës ku ajo ishte drejtoreshë nuk ishte ndryshuar nga viti 2017 edhe pse ia kisha kërkuar disa herë këtë gjë. Nuk di të shpjegoj çfarë ka ndodhur në prokurori apo çfarë trysnie ka ndjerë kushërira ime, që në bisedat tona private ajo i ka sjellë me kontekst tjetër. Kjo është e vërteta ime, por për këtë nuk jam thirrur kurrë”, ka thënë Bushka.
Kjo është hera e parë që Bushka paraqitet në Prokurorinë e Posaçme, pasi ka deklaruar se nuk është pyetur asnjëherë nga SPAK në lidhje me këtë çështje. /ZËRI