Aktualitet

Bllokimi i anijes me 850 mijë litra naftë/ Marinarët e huaj, prej muajsh në portin e Durrësit: Vdiqëm nga uria

Marinarët kanë mbetur pa furnizim me ujë dhe ushqime, ndërsa në vështirësi të mëdha ekonomike janë edhe familjet e tyre në Siri dhe Egjipt.

F.I
Bllokimi i anijes me 850 mijë litra naftë/ Marinarët e huaj, prej
marinarët

DURRËS-Nëntë marinarë të huaj qëndrojnë të bllokuar prej muajsh në portin e Durrësit, pa mundur të marrin mbrapsht pasaportat e tyre, pasi Policia konstatoi se anija me të cilën ata udhëtonin, kishte 850 mijë litra karburant kontrabandë. Përveç bllokimit marinarët po përballen edhe me kushte të vështira mbijetese. 

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Transportit dhe Telekomunikacionit, Tonin Gjinaj apeloi për ndërhyrjen e autoriteteve për të liruar marinarët, të cilët sipas tij janë liruar nga akuzat për kontrabandë nafte.

"Këtu ka disa anije që janë ndaluar dhe prej disa muajsh nuk marrin as paga dhe janë në vështirësi të ndryshme. E kemi ngritur problemin deri në ministri dhe kemi kryer takime me marinarët të cilët na thonë se janë pa ujë, pa ushqim dhe ndodhen në kushte të vështira jetike. I bëjmë thirrje organeve kompetente të hedhin syte nga marinarët përpara se të ikin dhe shijojnë rrezet e diellit.  Sot jam këtu të ndjek situatën. Ka një sindikatë të portit, e cila as don t'ia dijë për punonjësit. Apelojmë për stafin të cilët nuk janë pjesë e kontrabandës, aty ka kuzhinier të cilët vetëm kanë gatuar dhe mbahen aty. Inspektoriati shteteror i punes nuk ka shkuar kurre tek këta marinarë. Drejtësia ka arritur deri në pikën që ka marrë pasaportat dhe u ka lënë masën detyrim paraqitje. 9 persona të cilët kanë pasur dhe probleme shëndetesore, ndodhen prej disa muajsh në anije pa rroga, pasi nuk mund të hapin llogari bankare në kushtet ku ndodhen,"-u shpreh Gjinaj.

Pas operacionit policor, marinarët janë lënë në detyrim paraqitje dhe autoritetet kanë bllokuar pasaportat e tyre, që t’i pengojnë të largohen nga vendi. Koha e gjatë e qëndrimit në port ka bërë që ata të mbeten pa furnizim me ujë dhe ushqime, ndërsa në vështirësi të mëdha ekonomike janë edhe familjet e tyre në Siri dhe Egjipt.

"Nuk ka naftë apo ndonjë gjë tjetër nga kontrabanda. Policia dhe inspektorët e policisë erdhën nga Shqipëria dhe morën mostra dhe kontrolluan të gjithë anijen më shumë se 5 herë. Herë pas here ata vijnë për ta kontrolluar dhe kishte roje policore në anije. Ne nuk kemi asgjë nga nafta. Pra, nëse akuza kundër nesh është që ata të marrin para ose të na akuzojnë, dhe ne nuk kemi asnjë akuzë, kjo akuzë është e rreme për ne. Nëse shteti po e akuzon këtë akuzë për të marrë ryshfet, atëherë marrëdhënia e tyre nuk është me ne. Ne po i lëmë familjet tona për të kërkuar punë dhe jo për t'u mbajtur në Shqipëri, ndërsa fëmijët vdesin nga uria dhe shtëpia ka një pagesë ditore.-u shpreh një marinar.

"Vdiqëm nga uria dhe gjithçka, pa ushqim, pa ujë, pa para, asgjë në këtë anije. Nuk kemi kohë për këtë neglizhencë apo diçka të tillë. Jemi të duruar me urinë tonë dhe të durueshëm me gjithçka dhe tolerojmë gjithçka, por deri në atë pikë sa kjo jetë nuk është më e pranueshme. Lahemi në ujë deti dhe lahemi me ujë deti."- deklaroi një tjetër.

Anija “Ayala Zanubia” u ndalua para 9 muajsh nga organet ligjzbatuese shqiptare, pasi u konstatua se kishte 850 mijë litra karburant që dyshohej se do të hidhej në tregun vendas. Operacioni policor çoi në bllokimin e anijes në radë, ndërkohë që 9 pjesëtarë të ekuipazhit, një shtetas egjiptian dhe 8 sirianë, mbetën të bllokuar./ZËRI

Poll

MOS HUMB