
TIRANË-Teksa aksione janë zhvilluar ditët e fundit pas zgjedhjeve të 11 majit, në Shkodër e Fier, detaje të reja janë zbardhur nga analisti Arjan Curri. I ftuar në TopChannel, Curri ka folur rreth aksionit të zhvilluar nga SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, ku deklaron se agjentët kanë sekuestruar një shumë prej 500 milionë lekësh në një subjek të caktuar.
Analisti pretendon se shuma është mbetje e vlerës që ishte ofruar për blerjen e votës, lekë të cilat nuk ishin pranuar nga banorët e zonës pasi iu ishin dukur pak. Sipas tij janë sekuestruar celularë dhe pamje filmike dhe nëse sigurohen prova nga hetimi, mund të ketë arresim të një personazhi politik.
Arjan Curri: Në një vend të caktuar në veri një pjesë e një popullësie nuk ka pranuar të shitej me pak lekë nuk është ofruar aq sa duhet dhe ka mbetur një shumë e madhe lekësh e padhënë, nuk e merte populli i dukej pak. Për këtë BKH ka ngritur drone termik dhe ju e dini që leku i madh kur është i gjithi bashkë lëshon një rrezatim termik konstant. Janë kapur nga BKH në një subjekt të caktuar, 500 milionë lekë. Hetimet po vijojnë dhe nëse gjenden prova mund të kemi arrestimin e një personazhi të politikës. Janë sekuestruar celularë dhe janë parë pamjet filmike.
Sot u raportua se është sekuestruar nga SPAK celulari i kryebashkiakut socialist të Vaut të Dejës, Kristian Shkreli. Një ditë më parë 14 maj, Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit zhvilluan aksione në Shkodër dhe Fier në kuadër të krimeve zgjedhore, ku u raportua për disa të shoqëruar. Aksioni për kontroll personal dhe të automjeteve u bë me vendim të GJKKO, ndaj personave të lidhur me Partinë Socialdemokrate. Raportohet se SPAK ka sekuestruar edhe celularin e shoqëruesit të kreut të PSD-së, Tom Doshi, në kuadër të një hetimi për korrupsion zgjedhor./ZËRI