
MILOT- Banorët e Fushë Milotit janë grumbulluar dhe kanë dalë të protestojnë. Ata kërkojnë investime në rrugë dhe u bëjnë thirrje partive politike që të mos u shkojnë për tu kërkuar vota, pasi nuk kanë ndërmend ta ushtrojnë këtë të drejtë. Sipas tyre, në çdo zgjedhje u premtohet rrugë dhe ujë, por ky premtim nuk është mbajtur.
“Vetëm kemi investuar ne se askush nuk ka vënë dorë në të. Vijnë edhe na gënjejnë për punë votash, gjithmonë kështu ka qenë. Mbyllim ndonjë gropë vetë, thonë do e bëjmë por nuk bëjnë asgjë. Na kanë mashtruar, nuk kanë fytyrë me ardhur dhe kërkuar vota. Kur është baltë nuk kalohet,”- shprehet një banor.
“Ndihemi të izoluar, të lënë pas dore. Jemi 1 km larg nga autostrada. Rreth 1 mijë banorë që kalojnë në rrugë kalldrëmi. Kalamajt rriten sui në mesjetë, me kanale dhe përronj. Thua se jemi në Afrikë. Mos u afroni fare për vota, nuk ia japim votën asnjërit. Do të rrimë pa votuar. Duhet investim në rrugë. Është turp të flasim në 2025 për rrugë, apo të flasim si Rama do të çojmë ujë gjithë Sarandës. Këto janë gjërat minimale që mund të bëjë, rrugë dhe ujë. Jemi ankuar disa herë. Dhe asnjë lloj mase nuk është marrë. Bashkia e Kurbinit ka falimentuar, duhet të japë dorëheqjen në mënyrë urgjente kryetarja,”- thotë një tjetër banor.