Aktualitet

“Balluku”/ Shoqata e gjyqtarëve-Ramës: Po i bën presion drejtësisë, nuk është qëllimi ynë t’i pëlqejmë publikut, por të zbatojmë ligjin

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë fton dhe i kërkon secilit zyrtar të lartë të dy pushteteve të tjera që të respektojë pavarësinë e gjyqtarëve në vendimmarrjen e tyre dhe të distancohet nga çdo sjellje që e cenon atë

E.K
“Balluku”/ Shoqata e gjyqtarëve-Ramës: Po i bën
edi rama dhe belinda balluku

TIRANË- Shoqata e gjyqtarëve ka dënuar sulmet e kryeministrit Edi Rama, në drejtim të prokurorëve dhe gjyqtarëve, që kanë vendosur pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Në njoftimin për mediat të shoqatës së gjyqtarëve, thuhet se qëndrimi i Ramës është një presion ndaj drejtësisë, dhe një ndërhyrje në sistem, në një kohë që çështja është ende duke u trajtuar nga gjykatat. Shoqata rithekson se ndarja dhe balancimi i pushteteve është një nga parimet themelore të demokracisë, prandaj pavarësia e pushtetit gjyqësor, arbitrit final për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve, përbën një gur themeli për ndërtimin e shtetit të së drejtës.

DEKLARATA E PLOTË

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka ndjekur me vëmendje prej disa ditësh komunikimin publik të Kryeministrit të vendit lidhur me çështjen gjyqësore në ngarkim të Zëvendëskryeministres dhe njëkohësisht Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila është duke u shqyrtuar në të njëjtën kohë nga Gjykata Kushtetuese, si dhe nga gjykatat e posaçme. Shoqata shpreh shqetësimin dhe indinjatën lidhur me qasjen që kreu i pushtetit ekzekutiv ka zgjedhur të bëjë për këtë problematikë, e cila është pjesë e juridiksionit të pushtetit gjyqësor. Nën petkun e ankesës për uzurpimin e pushteteve ekzekutiv dhe legjislativ nga ai gjyqësor në të vërtetë fshihet një mesazh presioni ndaj organeve të drejtësisë që kanë për shqyrtim çështjen në fjalë. Gjithashtu, mesazhe të tilla të përditshme të ushqyera ndaj publikut të gjerë synojnë të krijojnë një klimë mosbesimi ndaj pushtetit gjyqësor dhe mund të përdoren më tej si pretekst për marrjen e masave erozive ndaj këtij të fundit.

Shoqata rithekson se ndarja dhe balancimi i pushteteve është një nga parimet themelore të demokracisë, prandaj pavarësia e pushtetit gjyqësor, arbitrit final për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve, përbën një gur themeli për ndërtimin e shtetit të së drejtës. Kjo pavarësi vihet në rrezik jo vetëm nga veprime konkrete që synojnë kufizimin e sferës së kompetencave të këtij pushteti, por edhe nga çdo akt ose deklaratë që perceptohet si kërcënim ose presion politik ndaj veprimtarisë gjyqësore apo që ul reputacionin e organeve të drejtësisë në sytë e publikut dhe, në këtë mënyrë, minon besimin e tij tek këto organe. Komisioni Evropian ne raportet për Shqipërisë ka adresuar si shqetësim vazhdimin e përpjekjeve te ndërhyrjes dhe presionit ndaj sistemit gjyqësor nga zyrtarë të lartë publikë dhe politikanë.

Gjyqtarët janë të pavarur dhe i nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve e si të tillë qëllimi i misionit të tyre nuk është fitimi i pëlqimit të shumicës së publikut apo një pjese të tij, por zbatimi me fanatizëm i vullnetit të sovranit të shprehur në këto akte. Vendimet gjyqësore mund të jenë të papëlqyeshme për disa subjekte, por kjo nuk i bën ato ilegjitime, pasi sistemi demokratik i qeverisjes vepron brenda kufijve që i përcaktohen nga standardet e shtetit të së drejtës dhe zbatuesit finalë të këtyre standardeve janë gjyqtarët. Në këtë kuadër, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë fton dhe i kërkon secilit zyrtar të lartë të dy pushteteve të tjera që të respektojë pavarësinë e gjyqtarëve në vendimmarrjen e tyre dhe të distancohet nga çdo sjellje që e cenon atë. Ndërhyrja në veprimtarinë e gjyqtarëve gjatë zhvillimit të procedurave gjyqësore përbën formën më të rrezikshme në shkeljen e parimit të ndarjes së pushteteve, pasi ka si qëllim deformimin e vendimmarrjes nëpërmjet formave të ndryshme të presionit.

Në disa reagime të njëpasnjëshme, kryeministri Edi Rama e ka cilësuar vendimin e Gjykatës së Posaçme, për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, si një ndërhyrje të drejtësisë në kompetencat e qeverisë.

Jo më larg se këtë të dielë, në podcastin e tij “Flasim”, Rama u shpreh se qeveria ka dërguar çështjen Balluku në Gjykatën Kushtetuese, për të mos lejuar që kompetencat e ekzekutivit të cenohen nga vendime të një gjyqtari apo prokurori. Sipas kryeministrit, situata krijon një precedent të rrezikshëm për funksionimin e institucioneve demokratike. Gjithashtu ai theksoi se nuk është thjesht pezullim por nënshtrim i ekzekutivit.

"Edhe njëherë, dua ta theksoj, se ankimimi që kam bërë në Gjykatën Kushtetuese nuk është një betejë politike, nuk është as një kundërvenie ndaj drejtësisë, nuk është as një presion mbi këdo qoftë, përfshirë edhe këto shpjegime, të cilat janë të domosdoshme për ata që më kanë besuar privilegjin e udhëheqjes së këtij vendi, por është një betejë institucionale, një betejë themelore për mbrojtjen e kufijve mes pushteteve dhe për moslejimin e marrjes së kompetencave ekskluzive të kryeministrit, qeverisë dhe parlamentit nga një prokuror e një gjykates, një precedent kërcënues për demokracinë, në kuptimin më të drejtëpërdrejtë të fjalës dhe krejt i panjohur në Europë dhe në krejt botën demokratike. Ky veprim, që “de jure” quhet pezullim, por “de facto” është nënshtrim brutal i ekzekutivit, sjell përditë pasoja pas pasojash", tha Rama.

Ndërkohë Gjykata Kushtetuese ka shtyrë seancën ku do të shqyrtohet ankimimi i qeverisë për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut si ministre dhe zëvendës kryeministre me vendim të GJKKO. Pasi treshja e gjyqtarëve, Sandër Beci (relatori), Sonila Bejtja dhe Marsida Xhaferllari, nuk arriti të dilte me një vendim unanim, çështja kaloi në mbledhjen me tetë gjyqtarë të Kushtetueses, e cila do të zhvillohet më 12 dhjetor. Në kërkesën drejtuar Kushtetueses, qeveria kërkon pezullimin e vendimit të GJKKO vetëm për pjesën e pezullimit nga detyra të Belinda Balluku, teksa argumenton se ky vendim sjell pasoja të rënda të interesit shtetëror e shoqëror.

Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit vendosi për pezullim nga detyra të zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ndalim daljeje jashtë vendit. Gjykata arsyetoi se vendimi erdhi pasi Balluku mund të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët, në sajë të detyrës që mban. Balluku me vartësit e saj akuzohen se kanë paracaktuar fituesit në dy tenderë me vlerë 210 mln euro, atë të Tunelit të Llogarasë 190 mln euro dhe loti 4 i Unazës së Madhe 20 mln euro. GJKKO ka caktuar edhe arrest shtëpie për kreun e ARRSH-së, Gentian Gjyli dhe Erald Elezin, aktualisht drejtor i KESH. Kushtetuesja është ajo që do të vendosë për 'fatin' e Ballukut, ndërsa kryeministri Edi Rama ka deklaruar se zëvendësimi i Ballukut në qeveri nuk do të ndodhë./ZËRI

Poll

MOS HUMB