Aktualitet

Shtyhet seanca për Metën në Apelin e GJKKO-së, shkak bojkoti i avokatëve

Seanca e mëparshme u shty pas kërkesës së avokatit të tij, Kujtim Cakrani, me pretendimin se në njoftimin zyrtar të gjykatës nuk ishte specifikuar emri i gjyqtares që do të shqyrtonte çështjen.

zh.ll
Shtyhet seanca për Metën në Apelin e GJKKO-së, shkak bojkoti
ilir meta

TIRANË- Seanca paraprake që ishte parashikuar të mbahej sot në GJKKO për shqyrtimin e kërkesës së ish-presidentit Ilir Meta për lirimin nga qelia është shtyrë. Mësohet se seanca është shtyrë për në datën 28 tetor për shkak të bojkotit të avokatëve, që pritet të zgjasë deri të premten. 

Ndërkohë, seanca e mëparshme u shty pas kërkesës së avokatit të tij, Kujtim Cakrani, me pretendimin se në njoftimin zyrtar të gjykatës nuk ishte specifikuar emri i gjyqtares që do të shqyrtonte çështjen. Ndërsa, një ditë më parë, GJKKO rrëzoi kërkesën tjetër të ish-presidentit për ndryshimin e masës së sigurisë, duke lënë në fuqi “arrestin me burg”. 

Kreu i PL-së, Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit të vitit të kaluar, pasi akuzohet nga SPAK për “korrupsion”, “shpërdorim të detyrës” dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”. SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.

Ish-presidenti Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi është në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Çifti tashmë i divorcuar ligjërisht akuzohet se kanë ushtruar pushtetin e tyre ndër vite për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, si dhe për fshehjen e burimit të këtyre pasurive, duke përfshirë edhe familjarët në skemat e dyshuara./ZËRI

Poll

MOS HUMB