KLOS-Një automjet tip “Audi” me targa angleze ka dalë nga rruga dhe ka rënë në përroin e fshatit Dars, Klos pas mesnatës. Shoferi i mjetit, Andi Losha, 24 vjeç, është arrestuar pasi dyshohet se u largua nga vendngjarja pa njoftuar Policinë dhe pa i dhënë ndihmë pasagjerit, Jurgen Karaj. Ky i fundit rezulton i zhdukur, ku dyshohet se është marrë nga rrjedha e përroit. Llosha iu nënshtrua testit të alkoolit, nga i cili rezultoi se e drejtonte mjetin në gjendje të dehur, ndëra vijojnë kërkimet për gjetjen e 30-vjeçarit Karaj.
Njoftimi i policisë:
Ra me automjetin që drejtonte në përroin e fshatit Dars, nuk njoftoi Policinë dhe u largua nga vendngjarja, dyshohet se nuk i dha ndihmë pasagjerit në brendësi të automjetit, Policia identifikon, kap dhe arreston 24-vjeçarin.
Shërbimet e Policisë dhe polumbarët e RENEA-s vijojnë kërkimet për gjetjen e pasagjerit, që dyshohet se e ka marrë rrjedha e përroit.
Rreth orës 01:30, është marrë informacion se në vendin e quajtur ura e fshatit Dars, njësia administrative Klos, një mjet tip “Audi”, me targa angleze, ka dalë nga rruga dhe ka rënë në përroin e fshatit Dars.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe shërbimi zjarrfikës.
Nga veprimet e shpejta të kryera nga shërbimet e Policisë u bë i mundur identifikimi i drejtuesit të mjetit, shtetasit A. L., 24 vjeç, banues në fshatin Fullqet, Klos.
Po nga veprimet dyshohet se në automjet ka qenë edhe një pasagjer, shtetasi J. K., 30 vjeç, banues në fshatin Fullqet, të cilin dyshohet se e ka marrë rrjedha e përroit.
Gjatë veprimeve për zbardhjen e rrethanave të aksidentit, shërbimet e Policisë kapën dhe arrestuan shtetasin A. L., 24 vjeç, i cili dyshohet se pas shkaktimit të aksidentit është larguar nga vendngjarja.
Ky shtetas iu nënshtrua testit të alkoolit, nga i cili rezultoi se e drejtonte mjetin në gjendje të dehur.
Ndërkohë, polumbarët e RENEA-s, shërbimet e Policisë dhe zjarrfikësit vijojnë kërkimet në përroin e fshatit Dars për gjetjen e pasagjerit, shtetasit J. K.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme./ZËRI