
TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka përshendetur ish-deputetin e PD Ervin Salianjin dhe Presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Metën duke i quajtuar ata qëndrestarë në qelitë e regjimit mafioz të Edi Ramës.
Sipas Berishës ka qenë ky i fundit ai që ka krijuar skenare që tejkalojnë skenat e çdo diktature tjetër në Europë dhe botë për të arrestuar Metën, Salianjin dhe për të asgjësuar opozitën.
Deklarata e Sali Berishës:
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme ndaj jush, qëndrestarëve dhe qendrestareve të vërtetë, të kauzës së drejtë të çdo shqiptari. Një përshëndetje të përzemërtë sot, të gjithë opozitareve dhe opozitarëve të cilët panë skena të urdhëruara nga Edi Rama, që tejkalojnë skenat e çdo diktature tjetër në Europë dhe botë. Përshëndes të burgosurit politik, ish-presidentin, ish-kryeministrin, ish-kryetarin e parlamentit, kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe deputetin e PD-së, Ervin Salianji që kalojnë natën si qëndrestarë në qelitë e regjimit mafioz të Edi Ramës.
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta akuzohet për 3 vepra penale: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurish. Por Meta nuk është i vetmi që ka rënë në rrjetën e SPAK. Në “arrest shtëpie” është caktuar Pirro Xhixho (babai i Erisa Xhixhos), ndërsa Monika Kryemadhi dhe Ema Çoku janë lënë në “detyrim paraqitje”./ ZËRI