
TIRANË- Aldi Neziri, 21-vjeçari i arrestuar për plagosjen e adoleshentit 15-vjeç, brenda një picerie në zonën e Ali Demit, ka dhënë dëshminë e tij para hetuesve. I riu pretendon se e gjitha ndodhi aksidentalisht, duke pretenduar se nuk e kishte për qëllim që ta plagoste kolegun e tij të punës. Në rrëfimin e tij para hetuesëve, sipas "EuroNews", Neziri ka treguar se në momentin kur arma është shkrepur, ka qenë në të njëjtën tavolinë me të miturin.
“Arma u shkrep aksidentalisht. Nuk e kisha për qëllim ta plagosja,”-tha theksuar ai. Por ky version as nuk është konfirmuar dhe as nuk është mohuar nga i plagosuri. 15-vjeçari ka deklaruar për Policinë se nuk e kujton saktësisht se si ka ndodhur ngjarja, kjo për shkak të gjendjes së rënduar emocionale që pësoi pasi mori plumbin në qafë.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, ndërsa është shpallur në kërkim administratori i picerisë, Leonardo Mejdani, për të cilin dyshohet se ka pasur dijeni për ngjarjen. Por deri më tani nuk ka asnjë shenjë prej tij.
Aldi Neziri, motoristi i picerisë ka qëlluar me armë zjarri-stilolaps kamerierin 15-vjeçar, gjatë një konflikti për motive të dobëta, që ndodhi më 1 qershor në ambientet e picerisë 'Fantazia' te “Ali Demi”. Në lidhje me ngjarjen janë arrestuar edhe Ferit Basha, Andi Hyka dhe Keivin Bala, punonjës të picerisë, pasi ata kanë pastruar vendin e ngjarjes dhe kanë fshehur pamjet filmike që mund të zbardhnin ngjarjen. Vetë Neziri pasi u arrestua deklaroi se armën e hodhi në zonën e 'Don Boskos'./ZËRI