
TIRANË- Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka mbajtur një fjalë të shkurtër për mediat pasi ka dalë nga seanca që u zhvillua në Apelin e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në fjalën e saj, Kryemadhi la të kuptohet se ky mund të jetë mandati i fundit i saj si deputete, pasi u shpreh se ende nuk e ka vendosur nëse do të kandidojë në zgjedhjet parlamentare 2025. Gjithashtu komentoi edhe deklaratën e ish-bashkëshortit të saj Ilir Meta, i cili deklaroi në seancën e Apelit të GJKKO se nuk duhet që të mbahej përgjegjës për shpenzimet e bëra nga Kryemadhi dhe nëna e saj, Fatime Kryemadhi. Më pas u ndal në SPAK, deputetja Monika Kryemadhi akuzoi SPAK se kishte falsifikuar provat, por edhe për paaftësi. Po ashtu, Kryemadhi tha se mediat e nxjerrin lajmin se ka kërkuar takim me Ilir Metën për klikime. Sipas saj, në marrëdhënien e tyre nuk ka më kthim pas. Ndërsa shtoi se shumë shpejt do të bëjë disa kallëzime, por nuk e zbuloi se për kë bëhet fjalë.
"Kalkulimet dhe analiza financiare rezulton se SPAK ka dashur që të falsifikojë pasuritë to. Sa i përket letër porosive nga SHBA përsëri bie akuza që të ketë një deklaratë të rremë pasi ligji federal i dënon me 5 vite burg dhe cënon marrëveshjen e bashkëpunimit dy palësh. Prokurorët ishin të papërgatitur kaluan në artikujt e gazetave. Sot për herë të parë kam përmendur që për shkak të politikës që çuditërisht me emërimin e një prokurori të ri në SPAK, në Portin e Durrësit nuk është ndaluar asnjë konteiner me kokainë. Porti i Durrësit, që ka qenë një nga premtimet kryesore të kryeprokurorit të SPAK, sot drejton Policinë e Shtetit, Ministrinë e Brendshme dhe SPAK-un. Porti i Durrësit është një nga portat hyrëse të drogës. Beteja është ballë për ballë dhe do të përballemi me të gjithë sistemet e drejtësisë. Falsifikimet që janë përdorur nga kjo dosje. Nga ana tjetër dua t'ju bëj me dije se çështja e inceneratorit të Tiranës do të vijojë që të tregojë se SPAK është një strukturë e drejtuar nga Edi Rama dhe Erion Veliaj. Zotit Meta i bie çështja e deklarimit të pasurisë. Sigurisht që Ilir Meta u njoh pasi e bëri fjalën e tij kur thashë këto deklarata në sallën e gjyqit. Në letërporosinë që ka ardhur nga Çekia, njoftohet se Meta nuk ka fjetur në një hotel me Kastriot Ismailajn. S'ka lidhje Ilir Meta me Adrian Shatkun, ai është kushëriri im. Të gjitha mesazhet janë nxjerrë nga konteksti. Sa i përket kartës, unë kam përdorur iTunes, se unë nuk i edukoj dot hetuesit e SPAK. Hetuesit kanë hyrë në një rrugë që nuk dalin më mbrapa, ndaj duan që të ruajnë këtë gjë. Por arbitrariteti nuk i bën më të fortë. E bën të korruptueshëm në opinionin publik. Ajo që dua të theksoj është që të gjithë gjyqtarët janë nën presionin e SPAK. Sepse nëse dalin kundër iu fillon hetimi pasuror. Unë nuk merrem më me politikë, por me sensibilizimin. Nuk kam ndonjë dëshirë për të kandiduar, por do të bëj gjithçka që të mos garojnë njerëzit e paduhur. Unë nuk e kam mbështetur SPAK, por letrat ngelin, prokurorët dhe gjyqtarët ndryshojnë. SPAK-u nuk është Zoti në tokë, janë njerëz kalimtarë si të gjithë sistemet e tjera. Marrëdhënia e tyre me opinionin publik do të jetë në vazhdimësi. Kemi qeshur sot me gafat intelektuale të prokurorëve, qeshëm të gjithë! Marrëdhënia ime me Ilir Metën ka mbaruar, nuk ka më kthim pas.Fëmijët janë të rritur tashmë dhe nuk kanë arsye që të bëjnë ndarje mes nënës dhe babait. Janë procedura, procese që i kalojmë që të gjithë. Do shihemi shumë shpejt se do kemi ca informacione të bukura. Do bëj ca kallëzime shumë të bukura. Për kë? Për të gjithë...,"-tha Kryemadhi në fjalën e saj.
Si për Metën, ashtu edhe për Kryemadhin, SPAK ka ngritur të njëjtat akuza: pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish në lidhje me dosjen e CEZ DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA, por edhe shpenzime për blerje banesash dhe jo vetëm. Për Kryemadhin, SPAK ka zgjedhur masë më të butë sigurie, duke argumentuar gjendjen e saj shëndetësore. Ndërsa Meta, prej thuajse një muaji qëndron në ambientet e paraburgimit të burgut "313" në Tiranë./ZËRI