TIRANË- Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni i Antidrogës në Tiranë, i zhvilluar ditën e martë, për goditjen e grupeve kriminale. Sipas burimeve, janë ekzekutuar 15 arreste nga më shumë se 30 me urdhra me vendim gjykate, ndërsa 2 të tjerëve u është komunikuar akuza në qeli.
Të arrestuarit janë: Arsen Shahollari, Ilir Baruti, Visar Alla, Xhemal Gjoka, Jurgent Ibrahimi, Ermond Osmani, Aljon Cezma, Abdulla Gega, Klevin Nika, Albi Cela, Saimir Duraj, Edison Mera, Eris Hoxha, Emra Idrizi.
Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim edhe 16 persona të tjerë, të identifikuar nga hetimet, si pjesë e këtyre grupeve.
Burimeve pranë bluve bëjnë me dije se ky grup kriminal ishte përfshirë në shitjen dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike kanabis dhe kokainë. Dyshohet se të akuzuarit furnizonin me drogë disa zona të ndryshme të Tiranës, por shpërndanin gjithashtu drogë dhe në afërsi të shkollave.
Gjatë operacionit janë sekuestruar doza narkotike. Hetimet ndaj këtij rrjeti kanë nisur prej disa muajsh dhe janë pjesë e procedimeve të hapura në kuadër të goditjeve të mëparshme. Përmes përgjimeve dhe zbërthimeve të mesazheve janë zbuluar dhe personat e arrestuar dhe të shpallurit në kërkim si të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë/Finalizohet pas 3 muajsh hetime, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, operacioni policor i koduar “Final”.
Goditen disa grupe që shitnin lëndë narkotike.
Identifikohen 36 shtetas, pjesëtarë të grupeve, të cilët, të veçuar ose në grupe, shitnin lëndë narkotike, të llojeve të ndryshme.
Ekzekutohet masa e sigurisë “Arrest në burg”, për 15 pjesëtarë të grupit. Ndërkohë, vijon puna për kapjen e 16 të tjerëve.
5 shtetas janë vënë në pranga gjatë periudhës hetimore.
Në kuadër të operacionit janë sekuestruar 60 kg e 300 gramë Cannabis Sativa, 2 kg e 50 gramë Kokainë, 4 armë (1 armë zjarri pistoletë dhe 3 armë gjahu), 121 000 euro, 60 milionë lekë, 5000 paundë, celularë dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Si rezultat i punës hetimore intensive të kryer gjatë 3 muajve, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, është finalizuar operacioni i koduar “Final”, për goditjen e disa grupeve që shitnin lëndë narkotike.
Gjatë operacionit, u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për 15 shtetas që kryenin këtë veprimtari kriminale, konkretisht:
-A. Sh., 31 vjeç; I. B., 66 vjeç; V. A., 29 vjeç; Xh. Gj(B)., 26 vjeç; J. I., 28 vjeç; E. O., 47 vjeç; A. Ç., 42 vjeç; A. G., 41 vjeç; K. N., 26 vjeç; A. C., 21 vjeç; S. D., 32 vjeç; E. M., 29 vjeç; E. H., 25 vjeç; E. I., 30 vjeç; G. H., 37 vjeç.
Gjatë kontrollit fizik ndaj këtyre shtetasve dhe kontrolleve në banesat e tyre, gjatë periudhës hetimoe dhe gjatë ekzekutimit të masave të sigurisë, janë gjetur dhe sekuestruar: 60 kg e 300 gramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, 2 kg e 50 gramë lëndë e dyshuar narkotike Kokainë, 4 armë (1 armë zjarri pistoletë dhe 3 armë gjahu), 121 000 euro, 60 milionë lekë, 5000 paundë, 14 celularë, peshore elektronike dhe 3 automjete.
Gjatë periudhës hetimore janë identifikuar dhe arrestuar shtetasit: A. M., E. K., A. K., E. M. dhe I. C..
16 shtetasit e tjerë të identifikuar nga hetimet, si pjesë e këtyre grupeve, janë shpallur në kërkim. Vijon puna për kapjen e tyre dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.