
TIRANË- Pallati i Kongreseve është në planin e Korporatës të Investimeve Shqiptare për t'ju dhënë një kompanie private. Sipas asaj që njoftohet në faqen zyrtare të Korporatës, Pallati i Kongreseve edhe pse monument kulture do të dalë në ankand me pretendimin se ka nevojë "përmirësimin e cilësisë së infrastrukturës". Sërish sipas "AICorporation", godina do të shërbejë si një qendër për aktivitete kulturore, akademike dhe shoqërore.
"Një strukturë moderne dhe funksionale ka gjasa të tërheqë sponsorë dhe investitorë të rinj, duke ndikuar pozitivisht në klimën ekonomike të Tiranës dhe duke rritur atraktivitetin e saj për projekte të rëndësishme në të ardhmen,"-thuhet ndër të tjera në njoftim.
Por nuk sqarohet nëse godina do të shembet dhe në vend të saj do të ndërtohet një e re, apo thjesht do të ketë një rikonstruksion të ndërtesës aktuale.
NJOFTIMI I PLOTË:
Qëllimi kryesor i projektit është përmirësimi i cilësisë së infrastrukturës përmes rikonstruksionit dhe modernizimit të Pallatit të Kongreseve, duke e shndërruar atë në një strukturë multifunksionale që përmbush standardet bashkëkohore për konferenca, evente kulturore dhe tubime publike. Projekti synon modernizimin e vendit ekzistues të kongreseve, duke rritur cilësinë dhe funksionalitetin e infrastrukturës për konferenca, evente kulturore dhe mbledhje publike, në dobi të organizatorëve, institucioneve dhe pjesëmarrësve. Përmes rijetëzimit të Pallatit të Kongreseve, projekti pritet të tërheqë më shumë evente kombëtare dhe ndërkombëtare, duke nxitur turizmin, zhvillimin ekonomik lokal dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Struktura e modernizuar do të shërbejë si një qendër për aktivitete kulturore, akademike dhe shoqërore, duke përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve dhe duke forcuar angazhimin komunitar. Një strukturë moderne dhe funksionale ka gjasa të tërheqë sponsorë dhe investitorë të rinj, duke ndikuar pozitivisht në klimën ekonomike të Tiranës dhe duke rritur atraktivitetin e saj për projekte të rëndësishme në të ardhmen. Projekti do të mbështesë zhvillimin e aktiviteteve intelektuale dhe kulturore në Shqipëri, duke nxitur ndarjen e dijes, shprehjen artistike dhe bashkëpunimin ndërkombëtar – elementë thelbësorë për zhvillimin e vendit.
Institucionet Publike: Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore
Komuniteti: Institucionet shtetërore dhe organizatorët e eventeve, Sektori kulturor dhe artistik, Bashkia dhe Qyteti i Tiranës, Qytetarët dhe vizitorët, Bizneset lokale dhe sektori i turizmit
Partneri Privat: Përfiton pjesën përkatëse të zhvillimit sipas marrëveshjes
Pallati i Kongreseve është një monument i trashëgimisë kulturore në rrethin e Tiranës, në qarkun e Tiranës, Shqipëri. Ky monument është i llojit "Arkitekture", i miratuar me numër "122 më 05.03.2007". Pallati i Kongreseve u ndërtua për organizimin e kongreseve të Partisë së Punës, por edhe të festivaleve. Punimet për ndërtimin e tij filluan në vitin 1982 dhe përfunduan katër vite më pas në vitin 1986. Për ndërtimin e tij punuan ndërmarrjet më të mira në vend. Por modernizmi i godinës nga jashtë vazhdonte edhe brenda saj. Ambientet brenda saj u bënë një mënyrë që pallati të ishte edhe shumëfunksional dhe çdo gjë e vendosur atje të përshtatej me aktivitetet që do te zhvilloheshin, një funksion që Pallati i Kongreseve vazhdon ta ruajë edhe sot pas 20 vjetësh.
Pallati ka një shtrirje rreth 70 metra paralel me shëtitoren dhe lartësi 18 deri në 23 metra. Qëllimi ka qenë harmonizimi i mirë me objektet ekzistuese përreth si me Muzeun Arkeologjik, stadiumin "Qemal Stafa", Kryeministrinë e Radio-Televizionin Shqiptar./ZËRI