
ITALI- Anija “Libra” e Marinës italiane u nis dje nga Lampedusa drejt Shqipërisë për të sjellë grupin e parë të emigrantëve në qendrat e ngritura në Gjadër, atje ku do t'u nënshtrohen procedurave të përshpejtuara kufitare. Sipas "La Reppublica", në bord, anija ka 16 persona, 10 nga Bangladeshi dhe 6 nga Egjipti. Edhe pse "Libra", një anije 80 metra e gjatë mund të mbajë 60-80 persona. Sipas parashikimeve pritet që anija të mbërrijë sot në mbëmje, ose nesër në mëngjes në Shëngjin. Anija që do të duhet të udhëtojë nga Lampedusës drejt Shëngjinit do kushtojë nga 250 mijë deri në 290 mijë euro, duke llogaritur edhe detarët, pra 18 mijë euro për emigrant, për një operacion që në tërësinë e tij do t'i kushtojë shtetit gati një miliard euro.
Personat që po transferohen u shpëtuan në det, iu krye një kontroll fillestar dhe tani po vijnë drejt Shqipërisë. Gratë, të miturit dhe të sëmurët që u gjetën në det, u zbritën në Lampedusa nga varkat patrulluese të Guardia di Finanza, ndërsa meshkujt do të sillën në Shqipëri për t'i bërë nga vendi ynë procedurat e azilit.
Por çfarë ndodh në Shqipëri?
PAMJET NGA KAMPI:
Sapo anija të mbërrijë në portin e Shëngjinit, në veri të vendit pranë kufirit me Malin e Zi, emigrantët do t'i nënshtrohen një kontrolli të dytë. Më pas, ata do të transferohen në Gjadër. Pikërisht këtu, në këtë mega strukturë, emigrantët që i nënshtrohen procedurave të përshpejtuara të kërkesës për azil. Por ka një pengesë! Bëhet fjalë për një vendim të dhënë më 4 tetor nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë. GJEDNJ thonë se një vend, për t'u përcaktuar si i sigurt, nuk duhet të përdorë "persekutim, torturë apo trajtim tjetër çnjerëzor" në asnjë fushë dhe për asnjë person. Por 15 nga 22 vendet që konsiderohen të sigurta nga Italia nuk e respektojnë këtë kriter.
Nëse gjyqtarët zbatojnë vendimin e Gjykatës- që duket i pashmangshëm, shumë pak emigrantë do të mund të ndalohen në Shqipëri.
Çfarë do të bëjë qeveria?
Në këtë rast, çfarë do të bëjë qeveria italiane? Hipoteza më e mundshme, të paktën në të ardhmen e afërt, është se do të ketë një betejë ligjore. Prej ditësh gazetat e djathta i janë treguar togave të zeza. Dhe dje në një deklaratë për shtyp, Ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi deklaroi se: Mos u dekurajoni nga këto vendime të disa gjykatave dhe ne planifikojmë të qëndrojmë mbi arsyet tona, duke i sfiduar dhe çuar para gjykimit të juridiksioneve më të larta të vendit tonë.
Dhe pikërisht në ditën kur filloi operacioni i vogël në Shqipëri, ishte Presidenti i Republikës Sergio Mattarella ai që iu kthye temës së emigrantëve. I ftuar në Fondacionin Ambrosianeum, në Milano, ai tha: Sot, emigrantët nuk vijnë më nga Italia e Jugut, por nga më larg, nga vendet evropiane si Ukraina, të sulmuar nga një pushtim i pakuptimtë, ata vijnë nga Ballkani. Dhe nga kontinente të tjera, gjithashtu të ngarkuar nga kushte të paqëndrueshme.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe aleatët e saj të djathtë u kanë bërë thirrje prej kohësh vendeve evropiane të ndajnë barrën e emigracionit dhe bashkëpunimi me Shqipërinë është pjesë e kësaj strategjie. Duke përpunuar kërkesat për azil jashtë kufijve italianë, Italia synon të përshpejtojë procesin e riatdhesimit të emigrantëve.
Nga Senati, Meloni tha marrëveshja me Shqipërinë për emigrantët mund të zbatohet edhe nga shtetet e tjera jashtë Bashkimit Europian.
"Dy qendrat në Shqipëri filluan të funksionojnë, jemi shumë të kënaqur. Kjo është një rrugë e re, e guximshme, që mund të ndiqet me vendet e tjera që janë jashtë Bashkimit Evropian. Falenderoj kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe gjithë qeverinë e tij për besimin. Ne morëm pak kohë për t’u siguruar që gjithçka të ishte bërë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe jemi shumë të kënaqur me rezultatet e kësaj pune,"-tha ajo ndër të tjera.
Shqetësimet nga grupet humanitare
Megjithatë, grupet humanitare kanë shprehur shqetësime për sistemin e ri, nga frika se qendrat do të mbushen shpejt me njerëz që presin të kthehen në vendlindjet e tyre. Kritikët thonë se plani i jep përparësi rikthimeve, duke neglizhuar të drejtat e emigrantëve dhe duke përkeqësuar kushtet e tyre të jetesës.
Partia Demokratike Italiane e qendrës së majtë, përmes sekretarit të saj, Ellie Schlein, nënvizoi se "qeveria Meloni po hedh 800 milionë euro të qytetarëve italianë në një marrëveshje për zhvendosjen e emigrantëve në Shqipëri, duke shkelur të drejtat themelore të njeriut dhe duke injoruar një vendim të Gjykata e Drejtësisë së BE-së, e cila e bën të plasaritur gjithë këtë marrëveshje.
Megjithatë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen , në letrën e saj drejtuar krerëve të shteteve dhe qeverive evropiane përpara samitit të 17 dhe 18 tetorit, nënvizoi se: Ne duhet të vazhdojmë dhe të shqyrtojmë mënyrat që mund të ndjekim, në lidhje me zhvillimi i qendrave të riatdhesimit jashtë BE-së, veçanërisht në funksion të një propozimi të ri për një ligj për riatdhesimet. Me fillimin e veprimeve të parashikuara nga protokolli Itali-Shqipëri do të mund të nxjerrim përfundime praktike”.
Pra, mesa duket, jo të gjthë janë kundër planit të Melonit./ZËRI