TIRANË- Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka publikuar statistikat e punës së saj gjatë vitit 2024, në lidhje me hetimin në radhët e punonjësve të Policisë së Shtetit. Për periudhën janar-dhjetor 2024, AMP njofton se ka patur 291 referime me 444 punonjës të referuar. Sa i përket arrestimeve, AMP ka përmendur rastin e 1 drejtuesi të nivelit të lartë, 2 drejtues të nivelit të mesëm dhe 33 drejtues të nivelit të parë, të gjithë në funksionet drejtor drejtorie e shefa sektorësh/seksionesh në strukturat qendrore & vendore të Policisë së Shtetit.
Mbikëqyrja nëpërmjet Hetimeve Procedurale Penale
Në ketë drejtim Agjencia është fokusuar në rritjen e eficencës së hetimeve proaktive në funksion të goditjes së paligjshmërisë, në radhët e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke synuar nivelet e larta, të mesme e parë drejtues të menaxhimit policor, jo vetëm ato në nivelet zbatuese/operacionale. Gjithashtu fokusi është vënë në strukturat me risk të lartë korrupsioni, si kufiri, policia rrugore, hetimi i krimit, shërbimet ndaj të tretëve, etj.
Rezultatet e arritur të hetimit procedural penal, tregojnë për një rritje të konsiderueshme sasiore dhe cilësorë, ku konkretisht për periudhën Janar Dhjetor 2024, kemi pasur 291 referime me 444 punonjës të referuar, krahasimisht me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ku ka pasur 223 referime me 319 punonjës të referuar, çka rezulton për një trend rritje me: 25% të numrit të referimeve penale, 32% të numrit të punonjësve të referuar, 33% të numrit të hetimeve proaktive, 60% të numrit të personave të arrestuar dhe masa sigurie me vendim gjykate (163 persona kundrejt 102 persona).
Të dhëna krahasimore mbi numrin e punonjësve të strukturave të arrestuar/ndaluar në kushtet e flagrancës dhe me masa sigurie dhëne me vendim gjykate, evidentojnë orientimin e veprimtarisë hetimore gjithnjë e më shumë në nivelet e larta të menaxhimit policor, duke zbuluar, dokumentuar me prova ligjore dhe goditur veprimtarinë e kundërligjshme të kryer nga ana tyre, siç janë rasti i 1 drejtuesi të nivelit te larte, 2 drejtues të nivelit të mesëm dhe 33 drejtues të nivelit të parë, të gjithë në funksionet drejtor drejtorie e shefa sektorësh/seksionesh në strukturat qendrore & vendore të Policisë së Shtetit.
