
TIRANË-Seanca në Apelin e GJKKO për ankimin e bërë nga Ajola Xoxa për lirimin e llogarive bankare është shtyrë për ditën e mërkurë më 12 mars. Xoxa ka deklaruar se këto para janë të rregullta dhe me burime të ligjshme. Po ashtu bashkëshortja e Veliajt ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë për vendimin e Apelit të GJKKO-së që legjitimoi kontrollet në bizneset e saj si edhe sekuestrimin e celularit.
Ndërkohë në kuadër të hetimeve Apeli i GJKKO-së ka rrëzuar ankimin e Valbona Xoxës, mamasë së Ajola Xoxës dhe vjehrrës së Erion Veliajt mbi sekuestrot e vendosura nga shkalla e Parë, për vilën në Qerret, si dhe pasuritë e tjera, burimi i të cilave vijon të jetë në hetim.
NJOFTIMI I GJKKO:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 10.03.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 12, datë 27.02.2025 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankueses V.X., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 84, datë 10.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, lidhur me caktimin e masës së sigurimit pasuror, sekuestro preventive, mbi pasurinë e paluajtshme”, dhe vendosi:
Miratimin e vendimit nr. 84, datë 10.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij.
Ajola Xoxa akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Gjatë seancës së kaluar Gjykata e Posaçme caktoi masën e sigurisë "arrest me burg" ndaj kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj dhe ndryshoi masën për bashkëshorten e tij, Ajola Xoca nga 'arrest shtëpie' në "detyrim paraqitje". SPAK akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash OJF. Kështu kanë përfituar së paku 1.1 milionë euro në 9 raste./ZËRI