
TIRANË- Ish-zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj deklaroi se kompania ajrore “Air Albania’ ka falimentuar për shkak të kryeministrit Edi Rama dhe se ka detyrime aeroportuale. Por, pas kësaj deklarate ka reagur kompania ajrore “Air Albania”, e cila përmes një postimi në rrjetet sociale shkruan se ish-zëvendës kryeministri i detyrohet në fakt kompanisë ajrore. Kompania tha se Ahmetaj dhe familjarët e tij kanë udhëtuar pa paguar biletat, duke u premtuar se do të shlyejë detyrimin, por nuk ka ndodhur.
Më tej, në deklaratën e saj “Air Albania” ironizon intervistën e tij, ku e quajti atë po aq të besueshme sa edhe ai si klient i saj.
“Në përgjigje të interesimit të disa mediave lidhur me deklaratat e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj mbi kompaninë Air Albania, informojmë se:
Zoti Arben i detyrohet kompanisë sonë një shumë të konsiderueshme pasi ai dhe familjare të tijët kanë udhëtuar me Air Albanian pa paguar biletat. Në mënyrë të përsëritur zoti Arben ka premtuar se do ta shlyejë kompaninë por kjo nuk ka ndodhur akoma.
Lidhur me akuzat e tjera të tij mund të therni vetëm se ato janë po aq të besueshme sa besueshmëria e zotit Arben si klient i Air Albanias”, shkruhet në postim.
Ahmetaj në një intervistë për “Syri TV” tha se prej datës 31 dhjetori të 2019 humbja e Air Albania tejkalon gjithë totalin e aksioneve të grupit në këtë joint venture është 20 mln euro. Ahmeraj tha se qytetarët kanë paguar çarterin e përdorur nga qeveria përmes taksave, ku një udhëtim nga Tirana në Romë kushton 14 mijë euro dhe kompania ka detyrime aeroportuale.
“Vijmë të projekti Air Albania. Do ju sjell një gjë shumë interesante. Ky Air Albanian e ka falimentuar. Kreu i organizatës e ka falimentuar. Më vjen keq për pronarët, në respekt të qytetarëve, kam këtu bilancin e Turkish. Që nga 31 dhjetori 2019 humbja e Air Albania, e cila tejkalon gjithe totalin e aksioneve të grupit, nuk e fusin në këtë bilanc të konsoliduar, është 20 milion euro. Rama ka thënë se unë jam imazhi i Air Albania. Tani imagjino Michael Jordan që është imazhi i NIKE që të humbë dhe ta mbaj si imazh. Qytetarët kanë paguar për çartërin e Ramës përmes taksave. Jemi duke folur për devijim të parave. Një fluturim deri në Romë nga Tirana është 14 mijë euro, le t’i numërojnë të gjitha udhëtimet. Le të shohin sa faturohet Qeveria për një udhëtim në minimum, pastaj le të shohin se çfarë ka ndodhur me taksat në Air Albania. Le të shohin detyrimet aeroportuale. Nuk kam gjë fare me grupin. Ka dalë me humbje. Është shkrirë kapitali”, tha Ahmetaj. /ZËRI