Aktualitet

A është ende turp të ekspozosh trupin në plazh?

Ky fenomen është i njohur si "turpi trupor" dhe lidhet ngushtë me normat e reja shoqërore dhe mediatike për pamjen fizike, një bel i hollë, një trup i palestruar dhe një lëkurë që shkëlqen.

Loreta Koleci
A është ende turp të ekspozosh trupin në plazh?
Loreta Koleci

TIRANË- Shpesh kemi dëgjuar persona që mendojnë se është turp të mos kesh linjat perfekte dhe të shkosh në plazh, apo shpesh në plazhe vërejmë njerëz që veshin rroba banjo për të mbuluar difektet e tyre trupore. Gjatë verës, shumë veta përjetojnë një rritje të vetëdijes për trupin e tyre, e cila shpesh shoqërohet me ndjenja turpi dhe ankthi, veçanërisht në mjedise publike si plazhi.

Ky fenomen është i njohur si "turpi trupor" dhe lidhet ngushtë me normat e reja shoqërore dhe mediatike për pamjen fizike, një bel i hollë, një trup i palestruar dhe një lëkurë që shkëlqen. Në një sondazh të realizuar në prill 2015 nga revista "Playboy" në Gjermani tregon se 49% e grave dhe 28% e burrave nuk ndihen rehat për t’u ekspozuar me rroba banjoje në plazh gjatë verës, sipas sondazhit këta persona veçojnë barkun si pjesën më problematike të trupit.

Ndërsa një studim i vitit 2021, i publikuar në revistën "Body Image", prezanton konceptin e "imazhit trupor sezonal", duke theksuar se rreth 70% e individëve raportojnë ndryshime në perceptimin e trupit gjatë stinëve. Kjo ndjeshmëri është më e theksuar gjatë verës.

Por a ka nga ata që shmangin pushimet në plazh për shkak të turpit nga trupi?

Po, dhe ata janë të rinjtë! Një sondazh i realizuar në Gjermani në gusht 2024 tregon se shumë persona shmangin pushimet në plazh për shkak të turpit nga trupi. Pothuajse 1/3 e grave dhe më shumë se 1/4 e burrave ndihen në siklet, veçanërisht të rinjtë (18–29 vjeç), të cilët përjetojnë presion nga rrjetet sociale, bëjnë ndërhyrje estetike për të përmbushur kriteret për një pamje dhe trup ideal.

A ka pasoja shëndetësore apo psokologjike turpi nga trupi?

Sipas një studimi të publikuar nga Universiteti i Bucknell vihet re se turpi ndaj trupit mund të ndikojë në shëndetin fizik, veçanërisht duke rritur ndjeshmërinë ndaj infeksioneve dhe shqetësimeve trupore të tjera. Madje ndjenja e turpit mund të intensifikojë ankthin dhe stresin.

Por, çfarë duhet të bëni nëse ndiheni të pasigurt me trupin tuaj?

Nëse ndiheni të shqetësuar për ndjenjat tuaja të turpit trupor, është e rëndësishme të kontaktoni një profesionist të shëndetit mendor. Ai mund t'ju ndihmojë të zhvilloni një strategji për të përmirësuar imazhin tuaj trupor dhe për të rritur mirëqenien tuaj emocionale. Mos harroni, çdo trup është i veçantë dhe shijoni verën pa komplekse!/ZËRI

Poll

MOS HUMB