Aktualitet

80-vjetori i Çlirimit të Shqipërisë, politika feston e ndarë, PL me pretendime: Na ndaloi Garda tek nderimet!

Krerët e shtetit organizuan një ceremoni nderimi në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë.

k.m.
80-vjetori i Çlirimit të Shqipërisë, politika feston e
Pamje nga nderimet

TIRANË- Krerët e shtetit shqiptar bënë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë për 80-vjetorin e Çlirimit të vendit. Të pranishëm për kryerjen e homazheve ishin Presidenti Bajram Begaj, kryeparlamentarja Elisa Spiropali, Kryeministri Edi Rama, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj por edhe zyrtarë të tjerë vendorë e përfaqësues politikë. Të gjithë me radhë vendosën lule dhe u përulën para monumentit "Nëna Shqipëri".

Urimet kanë nisur që në mëngjes. Në rrjetet sociale kreu i qeverisë, Edi Rama shkruante: Ju uroj sot të gjithëve Ditën e 80-vjetorit të Çlirimit!

Një mesazh u përcoll edhe nga kreu i shtetit, Bajram Begaj.

“80 vite më parë vendi ynë doli trimfues në luftën kundër fashizmit dhe nazizmit, i rreshtuar në anën e duhur të historisë. Mijëra shqiptarë, djem e vajza të vendit tonë, gjatë Luftës së Dytë Botërore sakrifikuan gjënë më të shtrenjtë, jetën, për diçka që ata e kishin edhe më të shtrenjtë, lirinë. Sot i përkujtojmë më mirënjohjen më të thellë dhe u përulemi me respektin më të madh. Sakrifica e tyre është amaneti ynë. Aspirata e tyre për liri mbetet detyrimi ynë për një Shqipëri të lirë e të përparuar. Lavdi përjetë Dëshmorëve të Atdheut!,”- shkruan Presidenti Begaj.

Edhe pse në burg, një urim erdhi edhe nga presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

"Në këtë ditë të madhe të historisë sonë, mirënjohja dhe respekti i pakufijshëm shkon për të gjithë martirët e luftës për liri, për të gjithë partizanët, heronjtë dhe dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, të cilët megjithëse në moshë tepër të re sakrifikuan gjithçka për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë. Sot të rinjtë dhe të rejat, veçanërisht në këto kohë jo të lehta për vendin, kanë një detyrë po aq të madhe dhe historike, sa edhe bashkëmoshatarët e tyre tetë dekada më parë, që të marrin më shumë përgjegjësi dhe angazhim publik për të garantuar fatet e tyre dhe të ardhmen e Atdheut, të rrezikuar nga tradhtarët e kombit që shesin kufijtë e Shqipërisë, që dëshmorët i mbrojtën me gjak, nga grabitqarët e pashpirt të pronës dhe interesit publik, si dhe nga kolonizatorët e rinj të juntës sorosiane që kërkojnë të zhbëjnë vlerat kombetare, familjare dhe të shtetit të së drejtës,"-shkruan Meta nga burgu.

Në vend të tij, përfaqësues të Partisë së Lirisë ishin sot në 80- vjetorin e çlirimit të vendit në Varrezat e Dëshmorëve, ku kryen edhe nderimet në këtë ditë të shënuar. Por sekretari i Përgjithshëm i PL, Tedi Blushi, në një deklaratë për mediat pretendoi se në nisje të ceremonisë kishte edhe një përpjekje nga Garda për ta ndaluar.

“Në nisje të ceremonisë patëm një përplasje me anëtarët e Gardës, që kishin marrë urdhër për të penguar përfaqësuesit e PL për të nderuar datën e shënuar, përpjekje kjo që tregon një tentativë të Ramës për të privatizuar edhe këtë datë historike e ndoshta për të dhënë me koncesion edhe Varrezat e Dëshmorëve. Megjithatë ne e kryem këtë ceremoni sepse askush nuk mund të na ndalojë të nderojmë gjakun e dëshmorëve,”-tregoi Blushi. Ndërkohë që nga Partia e Lirisë, u shpërnda edhe një video ku pretendohej se ishin penguar nga Garda që të futeshin tek Varrezat e Dëshmorëve.

Për këtë vit jubilar është miratuar edhe një logo e veçantë ku përmban Monumentin “Nëna Shqipëri”, por nga dora e nënë është hequr simboli i gjethes së dafinës me yllin dhe është vendosur flamuri kuqezi. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Ushtria Nacional Çlirimtare e Shqipërisë zhvilloi kryengritje të armatosur kundër okupimit të Shqipërisë. Prej 7 prillit të vitit 1939 Shqipëria kishte qenë e pushtuar nga Italia fashiste dhe pas kapitullimit të saj, në vjeshtë të vitit 1943, Shqipëria pushtohet nga forcat gjermane.

Në fund të nëntorit 1944, pas Çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor dhe pjesës kryesore të Shqipërisë së Veriut, mbetej te çlirohej qyteti i Shkodrës dhe qarku i tij. Shkodra u çlirua më 29 nëntor të vitit 1944, datë kjo e cila shënon ditën e çlirimi të Shqipërisë.

Por sërish, dita e Çlirimit vazhdon të mbajë të përçarë politikën, pasi mazhoranca aktuale e sheh 29 Nëntorin si datë përkujtimore, teksa opozita pretendon se gjermani i fundit u largua më 28 Nëntor. E djathta feston 28 nëntorin si ditën e Pavarësisë dhe të Çlirimit./ZËRI

Poll

MOS HUMB