
TIRANË-70 fëmijë të një kopështi publik në Gramsh janë helmuar nga ushqimi ndërsa në analizat e tyre u gjet prani e madhe të bakterit të salmonelës. Dyshimet paraprake janë se helmimi ka ardhur nga ushqimi i ofruar nga kompania e shërbimit katering. Në lidhje me ngjarjen, Elsa Kamberi Balla, administratorja e “Nelsa SHPK”, kompanisë që furnizon me ushqime kopshtin ku u helmuan fëmijët në Gramsh në një prononcim për ZËRI-n pohoi se ata furnizojmë me ushqimet bazë kopshtin në fjalë, si bulmetra, mishi, por sipas saj produket që dërgojnë janë të kontrolluara.
Por kush fshihet pas kompanisë “Nelsa shpk” që ofroi ushqimin, nga tenderat tek arrestimi i pronarit?
Prej vitit 2023 'Nelsa shpk' furnizon kopshtet dhe çerdhet në Bashkinë Gramsh
"Nelsa shpk", ka fituar tenderin për furnizimin e kopshteve dhe çerdheve në bashkinë Gramsh që nga viti qershori i viti 2023. Kjo kontratë është e vlefshme për 24 muaj dhe parashikon furnizimin me produkte ushqimore të standardit të lartë, përfshirë konviktin e shkollës së mesme.

Kjo kompani ka një historik të gjatë të përfshirjes në tenderat publikë jo vetëm në Gramsh por edhe në institucione të tjera shtetërore. "Nelsa shpk" furnizon me ushqim spitalet dhe burgjet. ZËRI ju liston më poshtë edhe dokumentet për tenderat në fjalë:
Por kompania nuk është hera e parë që përfshihet në një skandal. Pronari i “Nelsa shpk”, Nexhmi Balla rezulton i dënuar për korrupsion dhe vjedhje të fondeve publike.
“Nelsa shpk” rezulton të jetë aktualisht në pronësi të Elsa Kamberi (Balla), por themelues dhe pronar fillestar është babai i saj, Nexhmi Balla, një emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Në 11 Korrik 2016, Policia e Shtetit arrestoi biznesmenët Ylber Kalaja, Nexhmi Balla dhe Shemsi Sinani, pasi Prokuroria për Krime të Rënda kishte zbuluar një rast korrupsioni në tenderët e ushqimeve për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, ku ishin përfshirë kompanitë e tyre “Vllaznimi” (sot, “Dajti Park 2007”); “Nelsa” dhe “M.B Kurti” (sot “Sinan Trading”).
Së bashku me biznesmenët, me urdhër të Prokurorisë u arrestuan në atë kohë edhe drejtori i përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto dhe zëvendësi i tij, Iljaz Labi. Administratorët e kompanive "Dogel", "Vllaznia", "M.B.Kurti" dhe "Nelsa", konkretisht, shtetasit Elidjan Laskaj, Ylber Kalaja, Shemsi Sinani e Nexhmi Balla, bënin marrëveshje për të kryer konkurrim fiktiv në tenderat e zhvilluara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, për furnizimin me ushqime. Asakohe Gjykata dha dënimin me tre vite burg për administratorët. Pas skandalit Balla i kaloi pronësinë dhe drejtimin e kompanisë vajzës së tij, Elsës.
Në lidhje me skandalin e radhës, Elsa Kamberi Balla, administratorja e “Nelsa SHPK”, u shpreh e gatshme për ZËRI-n të vendosë dhe në dispozicion analizat e kontrollit të produkteve që ofron në kopësht.
ZËRI është në pritje të disponimit të analizave dhe publikimit të tyre.