
TIRANË- Vendimi për "Partizanin" do të jepet nesër në orën 13.00. Pas një seance maratonë sot, Gjykata e Posaçme pritet të vendosë kalimin ose jo për gjykim të dosjes. Avokati Genc Gjokutaj ka dalë me në një prononcim për gazetarët duke u shprehur se pala mbrojtëse ka kërkuar kohë për konsultim ndaj vendimmarrjes.
"Ka rrëzuar kërkesat tona për pavlefshmërinë për ekspertët. Vendimmarrja rrëzoi kërkesat që kemi bërë në seancat paraprake. Ne kërkuam një kohë të shpejt për tu konsultuar për këtë vendimmarrje të paligjshme. Nesër do ta marrim vesh se gjykata kur do ta japë vendimin në lidhje me dërgimin ose jo të çështjes në gjykatë, me themel. Jemi të pasqaruar sepse jam i paqartë për këtë vendim gjyqësor. Unë nuk mund të konsumoj kërkimet e mundshme që mund të bëj, por pasi ta konsultojmë me personat e duhur,"-tha Gjokutaj.
Të pandehur janë ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe 3 të tjerë, biznesmeni Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe financierja Andia Pustina. Këto seanca shënojnë plot 6 muaj që nga mbajtja e seancës së parë paraprake në 24 tetor të vitit të kaluar. Gjatë kësaj periudhe, procesi është zvarritur vazhdimisht përmes justifikimeve të ndryshme, përfshirë mungesën e avokatëve dhe leximit të qindra faqeve në seanca.
Hetimet për dosjen Partizani kanë nisur në vitin 2020, dhe në aktakuzën e SPAK, dy prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai e akuzojnë ish-kryeministrin Berisha për veprën penale të "korrupsionit pasiv" të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Sipas SPAK, Berisha ka ndryshuar ligje, dhe ka ushtruar presion mbi vartësit e tij, në mënyrë që ish-kompleksi Partizani t'iu kthehej pronarëve, në mesin e të cilëve do të përfitonte dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.
Aktualisht Berisha është në liri, por me masën "detyrim paraqitje", 2 herë në javë. Por SPAK ka kërkuar që kryedemokrati të kthehet në arrest shtëpie duke ankimuar vendimin e GJKKO-së. Ndërkohë SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka ngritur akuzë zyrtare për Berishën, atë të korrupsionit pasiv.
Ndryshe nga Sali Berisha, dhëndri i tij ndodhet nën masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’.Ndaj Jamarbër Malltezit, rëndojnë akuzat e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” që lidhen me privatizimin e ish-klubit Sportiv Parizani. Përveç dyshes Berisha-Malltezi, nën akuzë janë edhe Fatmir Bektashi, Andja Pustina dhe Xhimi Begeja./ZËRI