Aktualitet

56 studentë të helmuar, administratori i Akademisë së Sigurisë: Po analizohen mostrat e ushqimit, presim rezultatet

Nushi shprehet se ky është problemi i parë i këtij lloji në historinë e institucionit, ndërsa ushqimi ofrohet nga kompania private e kontraktuar 'Sori-Al'. 

zh.ll
56 studentë të helmuar, administratori i Akademisë së
milton nushi

TIRANË- Administratori i Akademisë së Sigurisë, Milton Nushi, ka reaguar për mediat për helmimin e 56 studentëve, duke bërë me dije se gjendja shëndetësore e tyre është stabilizuar dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Nushi shprehet se ky është problemi i parë i këtij lloji në historinë e institucionit, ndërsa ushqimi ofrohet nga kompania private e kontraktuar 'Sori-Al'. 

Administratori theksoi se po analizohen nga AKU dhe Shëndeti Publik mostrat e ushqimit që iu servir studentëve, teksa shtoi se ushqimi nuk përgatitet në Akademin e Sigurisë, por në një vend tjetër, i cili vjen i përgatitur.

Nushi deklaroi megjithatë se, procesi mësimor po vijon normalisht, ashtu edhe furnizimi me ushqim. 

"Kanë pasur shqetësime studentët pas konsumimit të vaktit të drekës. Janë çuar në infermierinë që kemi këtu dhe më pas në QSUT, dhe janë kthyer, të gjithë janë shëndoshë e mirë, janë këtu. Dyshimi është se ka ndodhur pas konsumimit të ushqimit. Ushqimi është i standardeve shumë të mira, mund të ketë pasur ankesa për punën e llojshmërisë, por që ushqimi është jashtëzakonisht i mirë.

Ne nuk kemi pasur asnjë moment helmimi deri sot që flasim. Kemi njoftuar menjëherë institucionet, AKU-në dhe Shëndetin Publik, i cili ka marrë mostrat, sepse ushqimi këtu vjen në formë kateringu dhe këtu mbajmë edhe mostrat, kemi komision që e pret bashkë me mjekun dhe i mbajmë të ruajtura 24 orë për raste kur ndodhin këto lloj incidentesh. Kjo është një kontratë e re që e kemi, por ka pasur dhe kontrata të mëparshme. Por janë marrë të gjitha masat, po presim që të dalin aktet e analizës. Puna vazhdon normalisht, shkolla vazhdon normalisht, edhe furnizimi vazhdon normalisht. Ushqimi përgatitet në një vend tjetër, jo më Akademinë e Sigurisë, atje ku ka licencim kompania, dhe, me sa di unë, përgatisin ushqime edhe për institucione të tjera", tha Nushi./ZËRI

Poll

MOS HUMB