TIRANË-GJKKO ka pranuar kërkesën e SPAK për të kaluar për gjykim 4 të pandehurit Kledian Llaho, Çlirim Shahini, të dy ish-prokurorë në Sarandë, së bashku me biznesmenin Vasil Bakalli dhe Pando Papuçit.
Ish-drejtuesi i Prokurorisë së Sarandës, Kledian Llaho, akuzohet nga SPAK për korrupsion, ndërsa ish-prokurori tjetër, Çlirim Shahini, i cili ushtron profesionin e avokatit, për ushtrim të ndikimit të paligjshëm.
Ish-prokurorët e Sarandës dyshohen se u përfshinë në një aferë korrupsioni për zbutjen e masës së sigurimit ndaj shtetasit Pando Papuçi, i cili ishte shpallur në kërkim për ndërtim pa leje. Organi i akuzës dyshon se dy ish-prokurorët i kanë kërkuar Papuçit shumën totale prej 55 mijë eurosh, në këmbim të ndërhyrjes në procedurat gjyqësore, me synim zbutjen e masave të sigurisë.
Llaho dyshohet se ka marrë 30 mijë euro nga miku i tij, biznesmeni Vasil Bakalli. Ndërsa prokurori i Papuçit, Çlirim Shahini provohet se ka marrë 25 mijë euro në këmbim që t’i kërkonte gjykatës masën “detyrim paraqitje”.
Vendimi i plotë:
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 28.01.2026 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin për gjykim të procedimit penal nr. 73/2024, në ngarkim të të pandehurve: Kledian Llaho, Vasil Bakalli, Pando Papuçi dhe Çlirim Shahini.”.
2. Në seancën e datës 06.05.2026 (seanca paraprake), Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Engjëllushe Tahiri, pasi shqyrtoi pretendimet e palëve, me vendimin nr. 69, datë 06.05.2026, bazuar në nenet 332 e vijues të K.Pr.Penale, vendosi:
1. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
2. Dërgimin për gjykim të procedimit penal nr. 73/2024 në ngarkim të të pandehurve:
– Kledian Llaho për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit, apo funksionarëve të tjerë të sistemit të drejtësisë” në bashkëpunim dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319/ç – 25, 245/1 paragrafi i katërt, dhe 25 të Kodit Penal; – –
– Vasil Bakalli, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit, apo funksionarëve të tjerë të sistemit të drejtësisë” në bashkëpunim dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319/ç – 25, 245/1 paragrafi i katërt, dhe 25 të Kodit Penal;
Pando Papuçi, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë” parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i dytë i Kodit Penal në 2 episode;
Çlirim Shahini, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë”, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i katërt i Kodit Penal, trupit gjykues të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të përbërë nga 3 (tre) gjyqtarë.
3. Së bashku me kërkesën e Prokurorisë për dërgimin e çështjes për gjykim, dërgohet dhe kërkesa e të pandehurit Pando Papuçi për gjykimin e çështjes penale në ngarkim të tij sipas procedurës së parashikuar për gjykimin e shkurtuar.
4. Fashikulli i gjykimit përmban të gjitha provat e Prokurorisë së Posaçme sipas akteve të hetimit; provat shkresore të depozituara gjatë seancës paraprake nga të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre; kërkesa me shkrim për gjykim të shkurtuar e të pandehurit Pando Papuçi.
5. Ngarkohet Kryesekretaria e Gjykatës të vijojë procedurat për hedhjen në short të çështjes me qëllim formimin e një trupi tjetër gjykues.
6. Ngarkohet sekretaria gjyqësore të dorëzojë vendimin për dërgimin e çështjes në gjyq dhe fashikullin e gjykimit brenda 10 (dhjetë) ditëve pranë Kryesekretarisë.
7. Kundër këtij vendimi nuk lejohet ankim.