Aktualitet

'3 mijë euro në gotën e kafes'! Inspektorët u mernin ryshfet pronarëve të bizneseve: Mbaje tendën

Zyrtarët iu kanë kërkuar para pronarëve të subjekteve, që të mos i hiqnin çadrat/tendat që zinin hapësirat publike përreth subjekteve.

F.I
'3 mijë euro në gotën e kafes'! Inspektorët u
EUROT E SEKUESTRUARA

TIRANË-Policia e Shtetit ka reaguar me një njoftim zyrtar lidhur me operacionin e SPAK, që u zhvillua ditën e djeshme, 27 gusht, ndaj punonjësve të IMT-së, ku në pranga u vendosën inspektori Gerald Fuçia dhe Edmond Çela, ndërsa në kërkim është shpallur, Klajdi Zhilla, shoferi i drejtorit të IMT-së së Tiranës dhe një tjetër.

Dy inspektorët në bashkëpunim me shoferin e drejtorit të IMT-së Tiranë gjatë kontrolleve në subjekte (lokale), për evidentimin dhe lirimin e hapësirave publike të zëna në kundërshtim me ligjin, iu kanë kërkuar para pronarëve të subjekteve, që të mos i hiqnin çadrat/tendat që zinin hapësirat publike përreth subjekteve.

Bëhet fjalë për një tendë pa leje në Kombinat, e cila u kontatua nga 4 punonjësit e IMT-së. Por, pasi u konstatua se ishte pa leje dhe do të prishej, njëri prej tyre ishte rikthyer sërish duke i kërkuar pronarit 1-3 mijë euro në mënyrë që të mos prishej tenda. Paratë iu dorëzuan Klajdi Zhillës, ndërsa 3 kolegët e tjerë e prisnin brenda një lokali në afërsi të objektit.

Zyrtarët u arrestuan në lokalin e ish-deputetit Mark Frroku, në Kombinat ku janë marrë dhe kamerat e sigurisë. Gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan 3000 euro dhe 27 000 lekë që dyshohet se janë përfituar nga korrupsioni, të cilat i kishin fshehur në një gotë kafeje. Po ashtu një automjet tip “Audi A6“ si dhe 4 celularë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Mbi e punonjësit e IMT-së rëndojnë akuzat: “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës“, të kryera në bashkëpunim.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Hapësira publike“, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, nga strukturat e Policisë së Shtetit, në drejtimin e SPAK-ut.

Sektori për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin për Policinë Kriminale, në Policinë e Shtetit, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të një procedimi të regjistruar për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funskione publike“ dhe “Shpërdorimi i detyrës“, të kryera në bashkëpunim, finalizoi operacionin e koduar “Hapësira publike“.

Në kuadër të këtij operacioni:

-u arrestua në flagrancë shtetasi G. F., 33 vjeç, punonjës i IMT, bashkia Tiranë;

-nisi procedimi penal për shtetasit E. Ç., 48 vjeç, banues në Tiranë, punonjës i IMT, bashkia Tiranë; A. E., 26 vjeç, banues në Tiranë, menaxher i një lokali në Tiranë;

-u shpall në kërkim shtetasi K. Zh., 35 vjeç, banues në Tiranë, inspektor i IMT, bashkia Tiranë.

Nga hetimet e kryera dyshohet se këta shtetas, gjatë kontrolleve në subjekte (lokale), për evidentimin dhe lirimin e hapësirave publike të zëna në kundërshtim me ligjin, iu kanë kërkuar para pronarëve të subjekteve, që të mos i hiqnin çadrat/tendat që zinin hapësirat publike përreth subjekteve.

Gjatë operacionit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3000 euro dhe 27 000 lekë, që dyshohet se janë përfituar nga korrupsioni aktiv i punonjësve të IMT, një automjet tip “Audi A6“ si dhe 4 celularë.

Punohet për kapjen e shtetasit K. Zh. dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjme.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprime të mëtejshme./ZËRI

Poll

MOS HUMB