Aktualitet

"21 Janari"- Berisha nuk shkon në Prokurori: S'kam fletëthirrje! Kuvendi: Nuk e tërhoqi! SPAK: U refuzua 2 herë

Edhe fletëthirrjet e datës 7 nëntor janë refuzuar për tu marrë si në banesë, ashtu edhe nga grupi i PD në Kuvend.

F.I
"21 Janari"- Berisha nuk shkon në Prokurori: S'kam
Sali Berisha

TIRANË-Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha nuk u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për tu pyetur për 21 janarin. Kreu i PD është njoftuar me anë të një fletëthirrje, ku thuhej se duhej të paraqitej sot në orën 10.00 si person që ka dijeni për ngjarjen. 

Fletëthirrja është dërguar në adresën e Parlamentit, selinë e Partisë Demokratike dhe në banesën e Berishës. Kuvendi ka njoftuar Prokurorinë e Posaçme se fletëthirrja për Berishën nuk është tërhequr. Por vetë Berisha ka deklaruar në konferencën e mbajtur për shtyp se nuk i ka ardhur një fletëthirrje as në zyrën e tij apo në shtëpinë e tij.

Sali Berisha: Atij që i dorëzohet thirrja, i merret firma dhe thotë; e mora Aty ku punoj dhe banoj kam njerëz të përgjegjshëm. Ata nuk mund të mos firmosin për një dokument dhe mos të ma japin. Por kjo i intereson atij Troplinit. Sot është data 17 (14 nëntor). Nga data 3 deri në 14 ai dokument mund të vinte në zyrën time 5 herë apo në shtëpinë time. Njeriu i parë që kërkoi një hetim të plotë të asaj përpjekje të dhunshme për të përmbysur një qeveri të ligjshme, është Sali Berisha.

Një reagim ka ardhur edhe nga SPAK, ku informon se fletëthirrja është dërguar dy herë. Fillimisht më 3 nëntor i është dërguar në banesë dhe është kthyer mbrapsht në Prokurorinë e Posaçme, me shënimin: “Rojet janë autorizuar të mos marrin asnjë zarf.” Më pas nga data 7-12 nënor është dërguar sërish në banesën e kreut të PD, Sali Berisha, Kuvend dhe selinë e PD. Edhe fletëthirrjet e datës 7 nëntor janë refuzuar për tu marrë si në banesë, ashtu edhe nga grupi i PD në Kuvend.

Njoftimi i SPAK: Ju informojmë si vijon: Deri tani janë dërguar dy urdhër-thirrje përmes shërbimit të postës shqiptare, më datë 3.11.2025 në adresën e banesës (për t’u paraqitur në SPAK në datë 7.11.2025) dhe në datën 7.11.2025, në adresën e banesës, Partisë Demokratike dhe Kuvendit (për t’u paraqitur në datën 14.11.2025). Urdhër-thirrja e parë, e dërguar në banesë më datë 3.11.2025, është kthyer mbrapsht në Prokurorinë e Posaçme, me shënimin: “Rojet janë autorizuar të mos marrin asnjë zarf.” Pas këtij konstatimi, Prokuroria e Posaçme ka vijuar me dërgimin e urdhër-thirrjes në tre destinacionet (Banesë, Partia Demokratike dhe Kuvend) më datë 07.11.2025. Më datë 09.11.2025, është refuzuar marrja e zarfit të dërguar në banesë, ndërsa më 12.11.2025 Shërbimi i Burimeve Njerëzore dhe Trajtimit të Deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë ka njoftuar se marrja në dorëzim e njoftimit është refuzuar nga stafi politik i grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Përmes shkresës është sqaruar gjithashtu se njoftimi për urdhër-thirrjen është dërguar edhe në adresën zyrtare të emailit: [email protected], më datë 10.11.2025. Prokuroria e Posaçme do të vijojë zbatimin e parashikimeve ligjore për njoftimin dhe paraqitjen e personit të thirrur, sipas afateve dhe detyrimeve të parashikuara në legjislacionin në fuqi.

Hetimet për 21 janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, të cilët kërkonin që këtë çështje ta hetonte SPAK. Alfred Shehu është prokurori i SPAK, i cili do të hetojë çështjen e 21 janarit. Në mesin e personave që akuzohen nga familja si përgjegjës për vrasjen e Aleks Nikës, janë edhe drejtuesit më të lartë të shtetit, ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i brendshëm Lulzim Basha. 

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në vendim e saj në nëntor 2023 i kërkoi Shqipërisë që “të identifikojë dhe ndëshkojë përgjegjësit për vrasjen e të afërmit të kërkueseve gjatë protestës së vitit 2011 përpara Kryeministrisë”. GjEDNj gjeti po ashtu se hetimet ishin penguar nga qeveria e kohës dhe specifikisht ish-kryeministri Sali Berisha dhe kërkoi që hetimet e ngjarjes duhej të përfshinin zinxhirin komandues të Gardës së Republikës dhe jo vetëm oficerët që hapën zjarr.

Çfarë ndodhi më 21 janar?

Një protestë e thirrur nga Partia Socialiste, asokohe në opozitë doli jashtë kontrollit dhe do të përfundonte me vrasjen e Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës para Kryeministrisë, pas të shtënave me armë zjarri ng Garda e Republikës. Partia Demokratike, në qeveri do e cilësonte tubimin si grusht shtetit dhe krim shtetëror. Nga 2011 deri më sot, dosja e 21 janarit është ende në gjykatë. Në lidhje me ngjarjen u morën të pandehur Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, ndërsa gjykata vlerësoi me vendim se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia. Të dy të pandehurit u dënuan, Ndrea Prendi me 1 vit ndërsa gardisti Agim Llupo me 3 vite burg. Familjarët e viktimave prej 13 vitesh kërkojnë drejtësi ndërsa akuzat politike rishfqen para çdo fushate elektorale./ZËRI

Poll

MOS HUMB