
TIRANË-Sot shënohet 1 Maji, i njohur ndryshe si Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve. Kjo ditë simbolizon luftën për të drejtat e punës, kushte më të mira në vendin e punës dhe barazi sociale.
Edhe pse origjina e kësaj feste daton në fund të shekullit XIX, aspiratat që ajo përfaqëson mbeten aktuale sot. Kërkesa e parë publike është paraqitur në Australi në vitit 1855 e cila kishte këtë slogan: “8 orë punë, 8 orë dëfrim e 8 orë gjumë”.
Më 1 maj të 1886, mbi 200 mijë punëtorë, të mbledhur në sheshin qendror të Çikagos, nisën grevat për të kërkuar të drejtat e tyre. Ndërkohë që gazetat do t’i vlerësonin ato si “absurde”. Vdekja e 7 policëve gjatë protestave, të nisura prej shumë ditësh, ishte shkaku i reagimit të Policisë së Çikagos ndaj lëvizjes së punëtorëve.
Si pasojë e një bombe të hedhur nga forcat policore u vranë 8 udhëheqësit kryesorë të federatës së punëtorëve, duke e kthyer kështu majin në muajin e përkujtimit të përpjekjeve të punëtorëve për të fituar të drejtat e tyre. Tre vjet më vonë nga ngjarja e Çikagos, më 1889, Internacionalja e Dytë Socialiste, që u zhvillua në Paris (Francë), vendosi kremtimin e 1 Majit si ditën e bashkimit, luftës dhe solidaritetit të të gjithë punëtorëve të botës.
Sindikata botërore e caktoi 1 Majin, ditë në të cilën të gjithë punëtorët ushtrojnë presion për sigurimin dhe avancimin e të drejtave të tyre. Në Europë, 1 Maji filloi manifestimin me Internacionalen e parë të Gjenevës. Nga viti 1890 në Paris, Kongresi themelues i Internacionales së dytë, vendosi që pikërisht 1 Maji të mbetet dita ndërkombëtare e punëtorëve.
Dita e Punës nderon përkushtimin dhe punën e palodhur të punëtorëve, duke kujtuar vështirësitë dhe përpjekjet e tyre të pafundme në të gjithë botën. Qëllimi i kësaj dite është të rrisë ndërgjegjësimin për të drejtat e punëtorëve, të ndalojë shfrytëzimin dhe të promovojë paga të barabarta dhe kushte të përmirësuara pune./ZËRI